Kuvendi i Kosovës me kryetar të ri, Osmani: Të votohet sa më parë qeveria e re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur fillimin e zhbllokimit të ngërçit në Kuvend, pasi sot është zgjedhur kryetari i ri dhe disa nga nënkryetarët.

Osmani, i ka uruar punë të mbarë ‘’në interes të vendit’’ Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit po ashtu edhe nënkryetarëve.

Osmani po ashtu ka thënë se shpreson që Kuvendi të votojë edhe qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Presidentja ka thënë edhe se ajo shpreson që procesi i konstituimit të Kuvendit të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën.

‘‘Presidentja mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën. Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, znj.Albulena Haxhiu, Znj.Vlora Çitaku, z.Kujtim Shala dhe znj.Emilija Redžepi.  Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit’’, ka shkruar Presidenca në njoftimin e saj.

Procesi i konstituimit ka mbetur ende i papërfunduar pasi nënkryetari nga komunitetet jo shumicë serbe nuk është zgjedhur gjatë ditës së sotme.