Kuvendi i kokave të ulura! Recituesit e rinj të politikës shqiptare

Dikur, foltorja e Kuvendit ishte vendi ku përplaseshin idetë.

Ndërsa sot, ka një detaj që po përsëritet në çdo seancë plenare, që më shumë se çdo debat apo skandal në të sallë, tregon degradimin e parlamentarizmit shqiptar.

Deputetë të rinj që ngjiten në foltore, ulin kokën dhe lexojnë. Lexojnë pa u ndalur, pa i ngritur sytë asnjëherë, dhe shpesh pa e kuptuar as vetë thelbin e asaj që po thonë. Kjo pamje është bërë e zakonshme. Sa herë një deputet i ri merr fjalën, nxjerr letrat e shkruara, që në shumicën e rasteve as nuk i ka shkruar vetë, dhe nis recitimin e tekstit.

Në shumë raste, mjafton një ndërhyrje jashtë skenarit dhe gjithçka shkatërrohet për ta. Kjo ndodhi para disa seancave, ku deputetja socialiste Zamira Sinaj i ktheu të njëjtën përgjigje deputetëve opozitarë Erald Kapri dhe Redi Muçi, pavarësisht se pyetjet e tyre ishin të ndryshme.

E njëjta gjë ndodhi edhe dje në interpelancën e Belind Këlliçit me Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila pasi lexoi tekstin që ia kishin dhënë gati, nuk pranoi të merrte kohën prej 3 minutash, pasi nuk dinte se për çfarë të fliste.

Por problemi nuk është leximi, pasi çdo deputet kudo në botë përdor shënime. Problemi është se deputetët janë kthyer në megafonë partie, duke mos patur asnjë mendim për çështje të caktuara, por duke lexuar ato që u thotë partia.

Dhe kjo është ndoshta drama më e madhe e Kuvendit të sotëm.

Në një Kuvend normal, deputeti duhet të jetë njeri që njeh ligjin që votohet, që kupton pasojat, që mund të përballet në debat dhe të mbrojë publikisht bindjen e tij.

Dikur, parlamenti ishte vendi ku politikanët fitonin autoritet dhe mbështetje nga qytetarët përmes debatit. Edhe në përplasjet më të ashpra, ekzistonte të paktën përballja e ideve. Deputetët hynin në sallë të përgatitur për të replikuar, për të mbrojtur qëndrimin e tyre dhe për t’u përballur me kundërshtarin politik.

Sot, gjithçka është ndryshe. Shumë deputetë nuk dëgjojnë fare çfarë thuhet në sallë, por thjesht presin radhën për të lexuar tekstin e tyre dhe largohen.

Shqipëria po prodhon më pak parlamentarë e më shumë recitues partie, pasi në Kuvend shkojnë njerëz që nuk kanë peshë politike dhe nuk janë zgjedhur mbi aftësi apo formim politik, por për bindjen ndaj kryetarit të partisë.

Deputeti ideal sot është ai që nuk krijon probleme, bindet ndaj çdo urdhri dhe ngre kartonin sa herë i kërkohet. Nuk ka nevojë që të mendojë për ligje apo në shërbim të qytetarit, mjafton të ulë kokën dhe të vendoset në shërbim të partisë.

Sot, Kuvendi i Shqipërisë që duhej të ishte skena e debatit politik mes njerëzve më të përgatitur në Shqipëri, është kthyer në sallën e kokave të ulura, ku ulen brezi i ri i recituesve politikë.

Dhe kjo tregon më së miri degradimin e demokracisë në Shqipëri!