Kushtetuesja u dha të drejtë studentëve, qeveria ndryshon ligjin për mjekësinë, por s’heq dorë nga punësimi i detyruar në vend

Në fillim të këtij viti, Gjykata Kushtetuese njoftoi rrëzimin e pjesshëm të ligjit të miratuar në Korrik 2023 për studentët e mjekësisë, që do t’i detyronte ata të punonin në vend për një minimum prej pesë vitesh, pa të drejtën e diplomimit.

Pas vendimit të Kushtetueses, qeveria ka vendosur që të bëjë sërish ndryshime në ligjin për mjekësinë.

Projektligji i hedhur tashmë  për konsultim publik ka ulur vitet e qëndrimit të mjekëve të rinj pas përfundimit të shkollës. Kështu për studentët e viteve të para nga 5 vjet që ishte detyrimi, ulet në tre vjet.

Për të rinjtë e viteve të dyta deri të katërta kufizimi bëhet dy vjet, ndërsa studentët e viteve te fundit detyrohen të punojnë në Shqipëri vetëm një vit pas shkollës.

Por pavarësisht këtyre ndryshimeve, studentët e Mjekësisë paralajmërojnë se nuk do ndalen dhe do vijojnë me betejën ligjore për rrëzimin e ligjit.

Ligji u miratua në Parlament në Korrik të vitit 2023, ndërsa u la të dekretohej në heshtje nga Presidenti Bajram Begaj, i cili nuk bëri asgjë për ta kthyer, pavarësisht se u kishte premtuar studentëve se do të ishte me ta.

Edhe me ndryshimet e reja, qeveria i detyron studentët që të punojnë në vend, në të kundërt nuk u jep diplomën. Sipas kryeministrit Edi Rama, kjo ishte nje mënyrë për të frenuar largimin e bluzave të bardha nga vendi.