Kushtetuesja pranon vetëm 1 kërkesë të Zhupës për “Butrintin”: Qeveria të dorëzojë komunikimet me UNESCO-n

Gjykata Kushtetuese ka pranuar sot vetëm një nga 5 kërkesat e deputetes së PD Ina Zhupa.

E vetmja kërkesë që u pranua ishte që qeveria shqiptare të bëjë publike komunikimet me UNESCO-n gjatë kryerjes së procedurave për dhënien me koncesion të Parkut të Butrintit.

Seanca e re në Kushtetuese në lidhje me këtë çështje do të caktohet pas datës 25 korrik.

Zhupa pretendon se qeveria ka mashtruar UNESCO-n gjatë komunikimeve për Parkun  e Butrintit. Sipas saj para se të vendoset koncesioni i Butrintit në Kuvend (i cili sipas qeverisë do të jepet me PPP) duhet që qeveria të çojë të gjitha dokumentet që tregojnë komunikimet me UNESCO-n.

“Butrinti nuk është pasuria jonë por e gjithë shqiptarëve. Kjo është një betejë përtej politikës dhe na takon të gjithëve si shqiptarë. Kërkesa e dytë është në lidhje me thirrjen e dëshmitarëve për Butrintin. Gjykata duhet të dëgjojë ata që kanë qenë pjesë e vendimmarrjes. Nuk mund të bëhet një proces kushtetues pa dëgjuar atë që thotë që Butrinti është grek. Kam kërkuar të thirret ish kongresmeni amerikan që është marrë me çështjet shqiptare. Që flet për modelin amerikan”, deklaroi Zhupa.