Pas dy përpjekjesh të dështuara, më në fund të shtunën, Sanae Takaichi arriti ambicien e saj të kahershme.
Në moshën 64-vjeçare, ajo u zgjodh lidere e Partisë Liberal Demokratike (LDP) në pushtet, pikërisht në 70-vjetorin e themelimit të saj – duke e vënë atë në rrugën për t’u bërë gruaja e parë kryeministre e Japonisë.
Ish-ministre, prezantuese televizive dhe dikur bateriste në një grup heavy metal, ajo do të përballet tani me sfidën e udhëheqjes jo vetëm të një partie që po përpiqet të rifitojë besimin e votuesve pas disa skandaleve dhe përplasjes me të djathtën ekstreme – por edhe të një vendi që përballet me rënie të lindshmërisë dhe tensione në rritje gjeopolitike.
Një rrugëtim i pazakontë drejt politikës
E lindur në prefekturën Nara në vitin 1961, babai i saj ishte punonjës zyre dhe nëna police. Politika ishte larg nga realiteti i saj i përditshëm në fëmijëri.
Një adhuruese e zellshme e muzikës heavy metal, ajo ishte e njohur për faktin se thyente shpesh shkopinjtë e baterisë për shkak të intensitetit të të rënit. Po ashtu, ishte pasionante pas zhytjes nënujore dhe makinave sportive – Toyota Supra e saj e dashur tani ekspozohet në një muze në Nara.
Përpara se të futej në politikë, Takaichi punoi për një kohë të shkurtër si prezantuese televizive.
Inspirimi politik i erdhi në vitet ’80, në kulmin e tensioneve tregtare SHBA-Japoni. E vendosur për të kuptuar perceptimin amerikan për Japoninë, ajo punoi në zyrën e kongresistes demokrate Patricia Schroeder – e njohur për kritikat e saj ndaj Japonisë.
Takaichi vuri re si amerikanët ngatërronin gjuhën dhe kuzhinën japoneze me atë kineze dhe koreane, dhe si Japonia shpesh futet në të njëjtin “thes” me Kinën dhe Korenë e Jugut.
“Përderisa Japonia nuk është në gjendje të mbrohet vetë, fati i saj do të varet gjithmonë nga opinionet sipërfaqësore amerikane,” përfundoi ajo.
Rruga drejt majës së pushtetit
Në vitin 1992, ajo kandidoi për herë të parë si e pavarur, por humbi. Një vit më vonë fitoi dhe iu bashkua Partisë Liberal Demokratike në vitin 1996.
Që prej atëherë është rizgjedhur 10 herë si deputete, duke humbur vetëm një herë, dhe ka ndërtuar një reputacion si një nga zërat më konservatorë të partisë.
Ajo ka mbajtur disa poste të larta qeveritare, përfshirë ministren për sigurinë ekonomike, ministren e tregtisë dhe industrisë, si dhe një mandat rekord si ministre për punët e brendshme dhe komunikimet.
Në vitin 2021 kandidoi për herë të parë për lidershipin e LDP-së, por humbi ndaj Fumio Kishida. Në përpjekjen e dytë në vitin 2024, ajo kryesoi raundin e parë, por u mund nga Shigeru Ishiba.
Këtë vit, në përpjekjen e saj të tretë, ajo fitoi – dhe është rrugës për t’u bërë kryeministrja e parë femër në historinë e Japonisë, pas konfirmimit nga parlamenti.
“Qëllimi im është të bëhem Zonja e Hekurt,” u tha ajo një grupi nxënësish gjatë fushatës së saj të fundit.
Konservatore e palëkundur, por me tone më të moderuara
Takaichi është një konservatore e bindur, e cila për një kohë të gjatë ka kundërshtuar ligjet që lejojnë gratë e martuara të mbajnë mbiemrin e vajzërisë, duke thënë se kjo dëmton traditën. Ajo është gjithashtu kundër martesave mes të njëjtës gjini.
Megjithatë, kohët e fundit ka zbutur tonin. Gjatë fushatës ajo premtoi që pagesat për dado të bëhen pjesërisht të zbritshme nga taksat dhe propozoi lehtësime tatimore për kompanitë që ofrojnë kujdes për fëmijët në ambientet e punës.
Përvojat e saj personale dhe familjare janë në bazë të shumë propozimeve të saj: zgjerimi i shërbimeve spitalore për shëndetin e grave, rritja e vlerësimit për punonjësit e kujdesit në shtëpi dhe përmirësimi i shërbimeve për shoqërinë japoneze që po plaket me shpejtësi.
“Kam kaluar vetë tri herë nëpër përvoja të kujdesit për familjarë,” tha ajo.
“Prandaj vendosmëria ime është vetëm forcuar për të zvogëluar numrin e njerëzve që detyrohen të lënë punën për shkak të kujdesit ndaj familjarëve, rritjes së fëmijëve apo refuzimit të fëmijëve për të ndjekur shkollën.
Dua të krijoj një shoqëri ku njerëzit nuk detyrohen të heqin dorë nga karriera e tyre.”
Trashëgimtare e Abenomics dhe figura e diskutueshme
Si protezhe e ish-kryeministrit të ndjerë Shinzo Abe, Takaichi është zotuar të ringjallë vizionin ekonomik të tij – “Abenomics” – që përfshin shpenzime të larta publike dhe interesa të ulëta për huatë.
Ajo ka vizituar rregullisht faltoren e diskutueshme Yasukuni, që nderon të rënët në luftë, përfshirë disa kriminelë lufte të dënuar.
Gjithashtu ka bërë thirrje për lehtësimin e kufizimeve kushtetuese mbi Forcat e Mbrojtjes së Japonisë, të cilave u ndalohet të kenë kapacitete ofensive.
Sfida përballë një partie dhe vendi në krizë
Që nga themelimi në vitin 1955, LDP ka dominuar politikën japoneze, por sot po humbet terren mes pakënaqësisë me ekonominë e dobët, rënies demografike dhe pakënaqësisë sociale.
Takaichi i përket krahut të djathtë të LDP-së, dhe me zgjedhjen e saj partia shpreson të rimarrë votuesit konservatorë që janë tërhequr drejt partisë së djathtë ekstreme Sanseito.
Sanseito, me sloganin “Japoni e Para”, ka kaluar nga një në 15 vende në parlament, duke tërhequr votuesit tradicionalë të LDP-së. Partia ka humbur shumicën në të dy dhomat e parlamentit.
Takaichi vetë e pranoi këtë problem në një fjalim pas raundit të parë të votimit:
“Kemi marrë kritika veçanërisht të ashpra nga mbështetësit tanë më besnikë, konservatorët dhe anëtarët e partisë.”
“LDP duhet të ndryshojë për hir të të tashmes dhe të ardhmes së Japonisë. Ne do të vëmë gjithmonë interesin kombëtar në radhë të parë dhe do të qeverisim me ekuilibër.”
Parlamenti pritet të konfirmojë emërimin e saj si kryeministre më 15 tetor.