Kush është Mohsen Rezaei, kreu i ri i sigurisë në Iran i kërkuar nga Interpoli?

Mohsen Rezaei, një nga figurat themeluese të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe një prej komandantëve më të rëndësishëm ushtarakë të Iranit, është emëruar sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Emërimi u bë me dekret të presidentit Masoud Pezeshkian, ndërsa pak orë më herët, ajatollahu Mojtaba Khamenei e kishte caktuar Rezaein edhe si përfaqësuesin e tij personal në këtë këshill.

71-vjeçari Rezaei ka shërbyer për 16 vjet si komandant i Gardës Revolucionare dhe për gati 24 vjet si sekretar i Këshillit për Përcaktimin e Interesit të Shtetit. Ai ka qenë gjithashtu zëvendëspresident për ekonominë dhe ka kandiduar katër herë për president, por ka humbur në të gjitha zgjedhjet.

Rezaei është një figurë tejet e debatueshme ndërkombëtarisht. Emri i tij lidhet me atentatin e vitit 1994 ndaj qendrës hebraike AMIA në Buenos Aires, ku u vranë 85 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Prokurorët argjentinas kërkuan arrestimin e tij dhe Interpoli ka një Red Notice ende në fuqi. Rezaei dhe autoritetet iraniane i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.

Gjatë Luftës Iran-Irak, Rezaei ishte komandant i Gardës dhe u kritikua veçanërisht për Operacionin Karbala-4 në vitin 1986, i cili përfundoi me humbje të mëdha për forcat iraniane. Më vonë, versioni i tij se operacioni ishte përdorur si një mashtrim strategjik u kundërshtua nga ish-zyrtarë, përfshirë Qassem Soleimanin.

Jeta e tij politike është shoqëruar edhe me një tjetër polemikë: djali i tij, Ahmad Rezaei, i cili kishte jetuar në SHBA dhe kishte kritikuar udhëheqjen iraniane, u gjet i vdekur në një hotel në Dubai në vitin 2011. Autoritetet e cilësuan vdekjen si pasojë të mbidozës, ndërsa familja e Rezaeit e konsideroi rastin të dyshimtë.

Emërimi i Rezaeit vjen në një periudhë të jashtëzakonshme për Iranin, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane dhe vrasjes së disa prej figurave më të larta politike, ushtarake dhe të sigurisë. Pas vrasjes së Ali Khameneit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, drejtimi i vendit kaloi përkohësisht në një strukturë të përkohshme, përpara se Mojtaba Khamenei të zgjidhej udhëheqësi i ri.