Kush e mbolli kanabisin në Zall Herr? Të arrestuarit mohojnë të kenë lidhje, por i “tradhton” dokumenti i nënshkruar

Kultivimi i kanabisit në repartin ushtarak të Zall Herrit ishte një skandal i madh për ushtrinë shqiptare, e cila është edhe pjesë e NATO-s.

Tre ushtarakë janë arrestuar për këtë skandal, por Gramoz Mullai, Rustem Koci dhe Gentian Zhurda mohojnë kategorikisht të kenë lidhje me kultivimin e lëndës narkotike. Madje, në deklaratat e tyre ata kanë thënë se i kanë lajmëruar eprorët se nuk mund të kontrollonin 140 hektarë tokë, pasi ishte e pamundur.

Deklarata e tyre hedh dyshime mbi eprorët, të cilët mund të kenë patur dijeni dhe nuk kanë marrë masa, por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se tre ushtarakët e arrestuar kanë nënshkruar një dokument në periudhën qershor-korrik, ku konfirmojnë se pas inspektimit, nuk kanë parë bimë të kultivuara në brendësi të repartit.

Mësohet se në vendin ku ishte kultivuar kanabisi është gjetur një bidon plastik dhe disa prova të tjera, të cilt janë dërguar për ekzaminim në laborator, për të parë kujt i përkasin shenjat e gishtave. Ndërkohë, Mnistria e Mbrojtjes ka pezulluar nga detyra edhe 6 ushtarakë të tjerë, të cilët janë vënë nën hetim.