Kurti bie pre e mashtrimit nga dy komedianët rusë, mendonte se po fliste me presidentin letonez

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e dy komedianëve rusë të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë. Në videon e dy komedianëve, Kurti dëgjohet duke folur për opozitën në Kosovë, mediat, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjera. Kurti flet edhe për Richard Grenell ku thotë se ai ka punuar kundër tij.

Ai ka qenë edhe instrument në rrëzimin e Qeverisë sime herën e kaluar. Nuk është mirë që të marrësh një të tillë nga një shtet autoritar dhe të pretendosh se je neutral”, thotë ai.

Përmes një postimi në platformën X, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se Kurti ka qenë viktimë e një telefonate të rreme.

Sipas njoftimit zyrtar, thirrja mashtruese ka ndodhur më 11 shkurt, menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur Kryeministri po merrte shumë telefonata dhe mesazhe urimi për rezultatin zgjedhor.

Për shkak të kufizimeve kohore, Zyra e Kryeministrit ka arsyetuar se verifikimi i plotë i çdo thirrjeje nuk ka qenë gjithmonë i mundur.

“Kjo situatë e pafat konfirmon atë që dihet prej kohësh: Rusia vazhdon të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) kanë publikuar mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç është dokumentuar nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.

Në fund, Qeveria e Kosovës ka shprehur keqardhje për këtë incident, por njëkohësisht ka theksuar se ky rast konfirmon qëndrimin e palëkundur të Kryeministrit Kurti mbi çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe private.