Kundër punësimit të detyruar, studentët e Mjekësisë në protestë: Përmirësoni kushtet që të mos ikim!

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë protestuar sot përpara Rektoratit të UMT-së.

Ata kundërshtojnë  punësimin me detyrim aty ku e cakton ministria dhe kërkojnë liri në zgjedhjet e tyre.

Gjatë fjalës tyre studentët kanë theksuar se tarifa prej 5 mijë eurove e vendosur nga qeveria është marramendëse. Ndërkohë që kanë shtuar se e vendosin vetë ata se ku do të shkojnë.

““Nuk duam kurrsesi që në shtator të gjendemi pabesisht para firmosjes së kontratës. Përpara se të fajësoni mjekët që ikin, ktheni gishtin nga vetja dhe pyeteni veten pse? Pse po ikin? Çfarë po ofrojnë vendet e tjera më shumë që po na marrin mjekët? Çfarë duhet bërë për t’i mbajtur? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Përmirësoni sistemin shëndetësor, arsimin dhe kushtet e punës dhe duam përmirësime konkrete, jo vendime të shkruara në letra që nuk janë vënë kurrë në jetë. Ne nuk duam të ndihemi të kushtëzuar, e vendosim vetë se çfarë do bëjmë me jetën tonë. Ne duam të rrimë këtu, të ikim jashtë, është puna jonë dhe askush tjetër. Tarifa 5 mijë euro është marramendëse. Ne do jemi gjithnjë kundra dhe nuk ndalemi nga protestat,” kanë thënë studentët ndër të tjera.

Javën e kaluar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se zhvilloi një takim me rektorin e UMT Arben Gjata dhe prof. Xheladin Draçini, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, për të diskutuar politikat e punësimit të studentëve në atdhe, për një periudhë të caktuar kohore.

Sipas ministres së Arsimit, Evis Kushit, që kjo ide të vihet në zbatim duhet të ketë një dakordësi së bashku me studentët.

Vitet e fundit të rinjtë synojnë degët e mjekësisë në mënyrë që të kenë mundësi të largohen nga Shqipëria me kontratë të rregullt, për të punuar në vendet si Gjermania, Italia etj.,