Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit” seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Anglisë.
Skuadra zhvilloi një seancë të plotë stërvitore, që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta.
Zyra e shtypit në FSHF thekson se Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli u stërvitën të diferencuar, por të dy futbollistët do të udhëtojnë me skuadrën drejt Londrës dhe deri në fund do të vlerësohet gjendja e tyre për ndeshjen me Anglinë.
Stërvitja, në minutat e para u fokusua te përgatitja atletike, ndërsa më pas u fokusua te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë.
Pas stërvitjes, Kombëtarja u kthye në hotel për t’u nisur më pas nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt Londrës.
Ndeshja me Anglinë do të luhet të premten më 21 mars, në orën 20:45 në stadiumin “Wembley”.
Sakaq, pasditen e nesërme në orën 18:15, trajneri Silvinjo dhe një nga lojtarët e skuadrës do të dalin në konferencën zyrtare për media nga stadiumi i “Wembley” për të folur për këtë ndeshje të rëndësishme.
Më pas, po në stadiumin “Wembley”, skuadra do të mbyllë përgatitjet për takimin e parë në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Anglisë.