Ku përfunduan? 2.5 ton ushqime dhe salçiçe të skaduara te SPAR “avullojnë” pa asnjë gjurmë

Një skandal ushqimor është zbuluar së fundmi ku 2.5 ton ushqime të skaduara, përfshirë edhe salçiçe të kontaminuara “Wudy” nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Burime për Ora News bëjnë me dije se skandali ka përfshirë subjektin “SPAR Albania” dhe lidhet me një auditim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Sipas të dhënave, “SPAR Albania” kishte detyrimin të asgjësonte në total 8,852 kg produkte mishi të kontaminuar dhe ushqime të tjera të skaduara.

Megjithatë, në landfill rezulton të jenë depozituar vetëm 6,280 kg, ndërsa mbi 2.5 ton produkte të destinuara për groposje nuk figurojnë askund.

Raporti thekson se nuk ka prova që këto produkte janë asgjësuar, duke lënë të hapur dyshimin se ato mund të jenë zhdukur jashtë çdo kontrolli institucional.

Auditimi zbulon gjithashtu se nuk ka asnjë dokument që provon dezinfektimin e ambienteve ku janë mbajtur këto produkte të kontaminuara.

Nuk dihet nëse këto ushqime të skaduara dhe të kontaminuara kanë përfunduar te konsumatorët shqiptarë, duke ngritur edhe njëhërë alarmin për sigurinë ushqimore në vendin tonë.