Aksioni “Tempull” i cili u finalizua me arrestimin e 233 personave në mbarë vendin u pasqyrua si një arritje e madhe e policisë, e cila më në fund po kapte shpërndarësit e drogërave pranë shkollave dhe lokaleve të frekuentuara nga të rinjtë.
Aksioni sipas kryeministrit Edi Rama, angazhoi 3 mijë policë nga Sektori i Antidrogës, Forcat Operacionale, FNSH e RENEA. Rama nuk ngurroi të duartrokiste uniformat blu, të cilat shkatërruan 23 rrjete të shpërndarjes së drogës.
Shpërndarësit ishin të moshave të ndryshme, madje kishte mes tyre vajza e gra si dhe të moshuara. Njëra prej tyre është nënë e një fëmije 6 muajsh.
Gjithë aksioni duket mirë “i kopsitur” nga Policia e Shtetit, por ka një problem. Të gjithë të arrestuarit rezultojnë të jenë shpërndarës droge dhe në 233 persona nuk kishte asnjë emër të shefave të tyre.
A është opinioni publik aq naiv sa për të besuar se personat si “Ujku i Cërrikut” ndërtojnë rrjet shpërndarjeje dhe mund të sigurojnë vetë kokainën me nivel pastërtie 91 për qind (më e pastra e kapur ndonjëherë në vend).
Për drogën në formë xheli që u kap në Tiranë u tha se vinte nga Kanadaja, por ende nuk është zbuluar se cili ishte bosi që e solli që andej apo që e tregtonte.
Ku e blinin drogën këta 233 shpërndarës?
Mjafton të kujtojmë se sipas një studimi me autore Adela Llatja të botuar në revistën prestigjoze “JIED” të LSE Press, ka të paktën 13 vite që policia nuk kap asnjë bos droge, vetëm punonjësit që kultivojnë ose në këtë rast ata që e shpërndajnë.
Të vetmit që ndiqen penalisht si rrjedhojë janë vetëm këta të fundit, ndërsa përfituesit e vërtetë nuk njihen.
Në të gjitha rastet e monitoruara të dënimit të kultivuesve, barrën e krimeve të drogës në Shqipëri e mbajnë ata që kultivojnë lëndë narkotike dhe ata që merren me prodhimin dhe shitjen. Nuk ka asnjë kallëzim penal për organizim dhe drejtim të veprimtarisë kriminale, nxjerr si konkluzion studimi.
Studimi nxjerr më tej se në 71% të rasteve ka procedurë të shkurtuar gjykimi, pa hetim të mëtejshëm përveç atij paraprak, pasi i akuzuari pranon të gjitha akuzat. Në rastet e shqyrtuara nuk ka asnjë informacion se si fermerët i marrin bimët apo se si shpërndarësit e “sigurojnë” mallin.