Kthyen magazinën e shtetit në “shtëpi bari” në Selitë, shkon në 8 numri të arrestuarve

Ka shkuar në 8 numri i të arrestuarve lidhur me magazinën në Selitë, e cila ishte shndërruar në një “shtëpi bari”. Policia e Tiranës njofton se ka rënë në pranga një 36 vjeçar, bashkëpunëtor me 7 të arrestuarit e tjerë.

Kujtojmë se gjatë aksionit të policisë, në magazinë u gjetën 193 bimë kanabisi të kultivuara në vazo, 100 bimë të thara të futura nëpër thasë dhe sende që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.

Ndërkohë në pranga ranë Erlind Tresa, Reshit Tresa, Asqeri Likaj, Elvis Lala, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali, tre prej të cilëve punonjës të OSHEE-së.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Vijon operacioni policor i koduar “Tuneli”.

Ndalohet një 36-vjeçar i dyshuar i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në Selitë.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë arrestuar 7 shtetas dhe janë sekuestruar 193 bimë kanabisi të kultivuara në vazo, 100 bimë të thara të futura nëpër thasë dhe sende që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.

Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Shkencore, ka vijuar punën për identifikimin e shtetasve të implikuar në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në një magazinë në rrugën “Hamdi Pepa”.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikua dhe ndalua shtetasi K. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 284/25 i Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë.