Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela ka shpjeguar sot arsyet se përse ai doli kundër draftit të Kodit të ri Penal.
Gjatë raportimit vjetor te Komisioni i Ligjeve rreth punës së institucionit që ai drejton, Çela tha se ne draftin e Kodit Penal nuk ka një reflektim të nevojave të shoqërisë, por po ndryshohet vetëm se është në kod i vitit 1995.
Sipas Çelës, procesi i integrimit dhe fakti se është i vjetër nuk janë argumente për të ndryshuar Kodin Penal.
Në kritikën e tij, kryeprokurori shtoi se para se të niste puna për hartimin e këtij drafti, pyetja që do të duhej të ngrihej ishte se cili ishte vizioni i Parlamentit dhe Qeverisë.
Olsian Çela tha se me Kodin aktual kanë bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtar dhe dispozitat e tij nuk kanë sjell probleme deri më sot.
Sipas kryeprokurorit, konsultimi për draftin ka qenë thjesht një proces formal nga ana e qeverisë pasi asnjë prokuror nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të dhënë opinion për 900 nene.
“Deri në vitin 2024 nuk kemi raportuar probleme serioze në zbatimin e Kodit Penal. Përkundrazi, ndryshimet që janë bërë herë pas here në Kodin Penal u janë përshtatur nevojave. E treta është: cila është filozofia mbi të cilën do të ndërtohet një kod? Cfarë po synojmë të arrijmë, cilat janë objektivat. Ne me ketë Kod Penal bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtar, nuk kemi pasur kurrë problem te dispozitave tona ligjore në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Çështja tjetër është: para se të nis puna, ka një vizion? Ku do shkojmë me këtë kod? Cili është vizioni i Parlamentit, qeverisë? Cila është detyra që i lihet hartuesve të Kodit, mbi shinat mbi të cilat do të ndërtohet ky kod. Cfarë do bëjmë me politikat për drogat? Cfarë do bëjmë me dhunën në familje? Cfarë do bëjmë me eutanazinë? Si do shikohet çëshjta e dënimeve alternative? Do jetë një kod represiv apo më pak represiv?
Nuk shoh aty një reflektim të nevojave të shoqërisë. Cilat kanë qenë nevojat e shoqërisë që duhet të prezantonte ky draft?
Unë kam një opinion që ndikohet nga fakti që në mungesë të një metodologjie dhe të përcaktimit të nevojave, nuk shoh një reflektim të nevojave të shoqërisë. Dy janë argumentet që kodi është i ’95, që nuk është argument sepse ka kode të vjetra që funksionojnë më së miri. Dhe tjetra integrimi evropian.
Ne i kemi azhornuar kodet sipas nevojave të integrimit. Për mua deri tani ka pasur për risistemin për dispozitave të Kodit dhe përmirësim aty ku është e mundur, por të ndryshosh bazat nuk është e lehtë. Kodet i bëjnë profesorët pasi dëgjojnë nevojat e praktikantëve dhe shikojnë tendencat e shoqërisë, praktikat më të mira botërore. Kjo kërkon kohë dhe kujdes mbi gjithë procesin.
Nëse ne mendojmë se duke bërë konsultime publike, duke mbledhur prokurorët e gjyqtarët nga dy orë, ky është proces që justifikon në vetvete se ka pasur konsultim publik. Asnjë prokuror sot nuk ka pasur kohë që për 2 orë t’ju japë opinion për 900 nene. E keni proces formal, jo thelbësor. Mungon kritika thelbësore për draftin.
Së dyti kalojmë nga një Kod, nga 400 nene në një draft me 900 e ca nene. Bëj një pyetje, me këto nene paskemi jetuar në paligjshmëri? Duket se ka një problem në konceptimin e draftit dhe së treti teknika e dispozitave nuk është në lartësinë e duhur. Si ndryshohet? Do bëjmë një Kod të ri? Si prokuror futemi pas, sepse ka munguar përcaktimi i drejtë i metodologjisë se si do të ishte puna për përgatitjen e draftit. Të gjitha këto na cojnë në pamundësinë që të bëjmë një vështrim kritik mbi draftin mbi funksion përmirësimi. Ne nuk kemi as kapacitetet as kohën“- u shpreh Çela.