Kryeministri spanjoll tërhiqet nga dorëheqja, Pedro Sánchez “dëgjon fjalën” e Ramës

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez është tërhequr nga dorëheqja, disa ditë pasi dha lajmin se po e mendonte këtë vendim, pasi bashkëshortja e tij po përballet me një hetim gjyqësor pas akuzave për korrupsion.

Ai ka fajësuar kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë për “ngacmim dhe bullizim”.

Pedro Sánchez, i cili ka udhëhequr Spanjën që nga viti 2018, tha se “serioziteti i sulmeve” që ai dhe gruaja e tij, Begoña Gómez, po përjetonin e kishin bërë atë të rivlerësonte pozicionin e tij. Pas këtij prononcimi, në SPanjë pati protesta që ishin kundër vendimit të kryeministrit. Mijëra qytetarë me pankarta në duar i kërkonin Sanches të “mos i braktiste”.

Pas paralajmërimit të tij për dorëheqje, reagoi edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili i dërgoi një mesazh homologut, duke i kërkuar të mos dorëzohej dhe të mos largohej nga posti i tij.

” Për Spanjën, për Evropën dhe për të gjithë ne. Kurrë mos hiq dorë, kurrë mos u dorëzo, kurrë mos dysho që e vërteta do të triumfojë, miku im i dashur”, shkruante Rama.