Krimi makabër/ Fatjon Bushgjokaj mohon vrasjen e Renis Dobrës, por jo njohjen me të: Kemi punuar me drogë në Gjermani

Fatjon Bushgjokaj, njëri prej të arrestuarve për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobrës në Mat ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor.

Ai e ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e të riut, por nuk e mohon faktin se me Renisin janë njohur në Gjermani pasi kanë punuar në aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike.

Po ashtu edhe i arrestuari i dytë, Petrit Çakrri, ka pranuar pjesërisht se ditën e ngjarjes ka qenë në zonën ku ndodhi krimi.

Referuar dëshmisë, mediat raportojnë se Çakrri është shprehur se nuk e njihte personalisht viktimën, ndërsa mohon kategorikisht të jetë përfshirë në krim.

Ai ka theksuar se i vetmi nga vëllezërit Bushgjokaj që njihte ishte Kristi Bushgjokaj, i cili është shpalur në kërkim nga Policia e Shtetit.

Çakrri ka sqaruar se me Kristin është njohur në burg dhe marrëdhënia e tyre kishte vazhduar edhe pas daljes.

Ai pohon se ishte takuar me vëllezërit Bushgjokaj pasi ata i kishin thënë se do të dilnin në zonë për të kërkuar një sasi droge nëpër fshatra.

Gjatë rrugës, sipas tij, janë ndarë në dy makina. Ai ka treguar edhe dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave të sigurisë të analizuara nga policia.

Megjithatë, Çakrri mohon çdo përfshirje në vrasje, duke deklaruar se nuk e di çfarë ka ndodhur me Renis Dobrën.

Ai ka shtuar se në një moment, vëllezërit Bushgjokaj janë futur në një tjetër makinë, që sipas grupit hetimor, mendohet të jetë automjeti i 23-vjeçarit.

Më pas më thanë “ik tani”, ka treguar më tej Çakrri. Në lidhje me atë çfarë kishte ndodhur me Dobrën, ai shprehet se e ka marrë vesh vetëm nga mediat.