Krim në familje/ Vajza mbyt babanë me tel në Fier, u ndihmua nga e ëma

Një 26-vjeçare është arrestuar në Fier pasi dyshohet se mbyti babanë dhe tentoi ta paraqiste ngjarjen kriminale si aksidentale.

Sipas Policisë, ishte pikërisht 26-vjeçarja Emanilda Rama, e cila kallëzoi ngjarjen rreth orës 23:00 të datës 23 korrik, duke pretenduar se babai i saj 56-vjeçari kishte humbur jetën aksidentalisht në banesë, në fshatin Frashër.

Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, u zbardh dinamika dhe autorësia e vrasjes.

Gjithashtu, është shoqëruar nëna e 26-vjeçares, e cila dyshohet për bashkëpunim në pastrimin e vendngjarjes, me qëllim inskenimin e saj si aksident fatal dhe jo vrasje siç konfirmon Policia.

Nuk dihen ende rrethanat, të cilat kanë çuar të renë drejt kryerjes së krimit makabër.

Njoftimi i Policisë:

Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje. Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.

Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.

Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.