Greqia po promovon dhe po investon shumë në kryerjen e shërbimit ushtarak nga popullsia. Vetëm pak ditë më parë ministri i Mbrojtjes deklaroi se po konsiderohet edhe përfshirja e femrave në shërbimin e detyrueshëm.
Ndërsa së fundmi edhe kreu i partisë më të madhe opozitare, SYRIZA, Stefanos Kasselakis është paraqitur për të kryer detyrimin e tij në shërbimin ushtarak në Thiva.
Politikani 35-vjeçar do të kryejë maksimumi 20 ditë shërbim ushtarak, shkruan gazeta greke Kathimerini. “Është nder t’I shërbej atdheut tim, vendit që unë e dua.“Jam krenar për vendin tim por jo për çdo gjë që ndodh këtu” tha ai.
Çdo person në Greqi pasi kalon 35 vjec mund ta kryejë shërbimin ushtarak për një periudhë më të reduktuar kohe. Kryetari i SYRIZA-s u shoqërua nga babai i tij drejt repartit ushtarak.
“Greqia po lundron në një kuadër gjeopolitik ku përballet me një kërcënim nga një vend që ka avantazh numerik të madh ndaj nesh dhe që në mesin e këtij shekulli do t’i afrohet apo kalojë 100 milion banorët krahasuar me 11-12 milionët tanë.
Ndaj, aritmetika e thjeshtë kërkon një ushtri të qytetarëve si dhe pikëpmaja ideologjike se qytetarët e armatosur që mbrojnë vendin, shtëpinë dhe idealet, është ajo çfarë e ka veçuar helenizmin, që nga koha e themelimit të qytet-shteteve”, tha pak ditë më parë ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias.