Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Agron Zhukrin.
Ai njihet si gjyqtari që i dha Rithemelimit vulën e Partisë Demokratike, vendim që më pas u apelua në Gjykatën e Apelit nga grupi i drejtuar nga Lulzim Basha.
Agron Zhukri u paraqit të mërkurën më 17 prill në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me tre përfaqësues ligjorë dhe u ballafaqua me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha në një seancë dëgjimore që zgjati rreth 5 orë e gjysmë.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Zhukri u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Sipas relatimit, Zhukri nuk ka deklaruar ndonjë pasuri në posedim apo përdorim, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka deklaruar disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.
Ajo ka deklaruar një shtëpi në Tiranë të ndërtuar në vitin 1968 dhe të rikonstruktuar në ’96-ën për shumën 2.8 milionë lekë, me burim nga shitja e një trualli në masën 2.6 milionë lekë dhe të ardhurat. KPK konstaton se nuk janë vërtetuar të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga puna në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi në shumën 2.4 milionë lekë për investimet e kryera në vitin 1996.
Bashkëshortja e subjektit ka deklaruar dhe ndërtimin e një shtese në vitet 2004-2006 me burim të ardhurat nga pagat, aktiviteti i saj privat, si dhe të ardhurat si ndërmjetëse për disa shoqëri që operojnë në fushën e sigurimeve.
Sipas KPK-së, nuk janë vërtetuar një pjesë e të ardhurave të deklaruara nga aktiviteti privat, si dhe nuk është provuar pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat si ndërmjetëse. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ edhe në këtë investim.