“Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, që do të mbahej sot në Kosovë, u anulua në mënyrë të njëanshme”, thotë qeveria e Kosovës, në një reagim për shtyp.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu është shprehur se takimet bilaterale, që njoftoi kryeministri Edi Rama mund të mbaheshin ditë tjetër.
Qeveria e Kosovës në një dekoratë për mediat shprehet se takimi që ka kërkuar Rama mund të mbahej edhe në një ditë tjetër, teksa shprehet se është hera e parë që një mbledhje e tillë anulohet në mënyrë të njëanshme.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme”, shprehet qeveria e Kosovës.
Ishte kryeministri Rama ai që njoftoi mbrëmë anulimin e takimit me Kurtin, ndërsa dha lajmin i pari se Kosova pritet të përballet me sanksione diplomatike nga BE. Por duket se ai vetë nuk ka pritur vendimet e BE për t’i nisur i pari këto sanksione duke anuluar takimin zyrtar në Prishtinë.