Edhe pse korrupsioni mbetet një problem madhor në vendin tonë dhe është në nivele të larta, kryeministri Edi Rama zgjedh të sulmojë kundërshtarët e tij politikë.
Kreu i qeverisë në mbledhjen e jashtëzakonshme me ministrat dhe deputetët e tij, hodhi akuza në drejtim të opozitës duke thënë se kur mori drejtimin e vendit në 2013, ishte në periudhën më të errët pas vitit 1997.
“Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo kontakt të qytetarit me shtetin” tha Rama mes të tjerash në fjalën e tij, por duke “harruar” edhe të gjitha rastet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës që kanë çuar në pranga apo hetuar zyrtarë të qeverisë.
Mes tyre ish-numrin dy të qeverisë, zv kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati prej gati një viti.
“Kur shqiptarët na votuan masivisht për të na dhënë mandatin e parë Shqipëria ishte në pikën më të ulët pas ’97. Rendi ishte përtokë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lojë syllambyllas me shtetin. Vjedhjet ishin kudo. Kërkesa e parë e qytetarëve ishte siguri, siguri, siguro. Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo kontakt të qytetarit me shtetin. Qytetarët jepnin ryshfet edhe duke nxjerrë para edhe për një certifikatë.’- tha Rama.
Por le të ndalemi te disa nga raportet mbi korrupsionin në vend për vitin 2023:
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit “Korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private, megjithëse autoritetet bënë përparim gjatë vitit në luftën kundër korrupsionit dhe drejt dhënies fund të mosndëshkimit”.
DASH- përmend arrestimet e nivelit të lartë nga SPAK-u dhe dënimet për raste korrupsioni, përfshirë dënimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të tij të Përgjithshëm Alqi Bllako.
Ndërkohë Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në raportin e publikuar pak javë më pare theksonte se “Korrupsioni i madh dhe kapja e shtetit janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, pasi Shqipëria ka rritur rreziqe të tilla nëpërmjet privatizimit, koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat PPP. Këto mënyra të transferimit të parave publike dhe kapitalit në duar të privatit kanë qenë të prirura ndaj korrupsionit dhe pretendohet se kanë kontribuar në pasurimin personal të zyrtarëve qeveritarë”.
Raporti i fundit i publikuar nga Këshilli i ambasadorëve Amerikanë pas vizitës në vendin tonë, tregon qartë problemet me të cilat përballet Shqipëria dhe qytetarët e saj. Sipas këtij raporti, në Shqipëri mbeten probleme të mëdha korrupsioni, kriminaliteti dhe qeverisja jo demokratike.
Ndërkohë në një sondazh nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, u evidentua se për 86% e qytetarëve të anketuar, korrupsioni mbetet problemi më serioz në Shqipëri.
Ndërkohë vetëm pak ditë më parë ambasadori i BE në vendin tonë Silvio Gonzato e bëri të qartë, se Shqipëria duhet të luftonte korrupsionin për të hyrë në BE.