Kryeministri Edi Rama ka pranuar se korrupsioni ekziston në prokurimet publike, ndaj edhe ka vendosur që ministrat e tij të mos merren më me tenderat. Lajmin, Rama e dha në mbledhjen që zhvilloi sot me grupin parlamentar dhe kabinetit qeveritar, ku informoi se asnjë ministër apo institucion varësie nuk do të ketë lidhje me tenderat.
Kreu i qeverisë, tha se prej datës 25 prill janë hedhur hapat për të krijuar shoqërinë publike të operatorit të blerjeve të përqendruara që ka nisur punë zyrtarisht në 25 prill dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet.
“E përsëris se lufta me korrupsionin është larg të qenurit e fituar. Ne nuk na mjafton kaq dhe shifrat që dhashë nuk duan të thonë që në prokurimet publike nuk ka korrupsion. Ne kemi hedhur një hap tjetër para, për të krijuar shoqërinë publike të operatorit të blerjeve të përqëndruara që ka nisur punë zyrtarisht në 25 prill dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet. Pra asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë nuk do të ketë më të bëjë me tendera por do merren me politikat sektoriale. Kjo shoqëri do të asistohet nga shoqëri partnere europiane”, tha mes të tjerash Rama.