Kontrolli i territorit, Rama: S’ka më kontrata për drita e ujë pa hipotekë

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, prezantoi masat e reja të qeverisë për kontrollin e territorit dhe mbrojtjen e hapësirave publike. Në krah të Ministres së Brendshme, Albana Koçiu dhe Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, kreu i qeverisë tha se për të gjitha ndërtimet e reja, uji dhe dritat do të lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit. Rama po ashtu tha se nuk do të lejohet të futen njerëzit në apartament pa u pajisur me hipotekë .

“Më tutje është përcaktimi i fazave të kontrollit, duke ndarë qartë çdo fazë në periudhën e zbatimit të punimeve me kontroll në kohë të projekteve të miratuara. Edhe ky është një aspekt që ka çaluar shumë deri sot, më tutje është forcimi i mekanizmit të kontrollit duke përcaktuar 4 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore, pastaj vjen detyrimi për dhënien e certifikatës së detyrimit, i zhvillimit të territorit, vetëm pas konfirmimit të aktit kontrollit nga qeveria e vetëqeverisje vendore, dhe përfundimin sipas lejes së ndërtimit, në përputhje me projektin arkitektonik të miratuar. Uji dhe dritat lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit. E keni parasysh që arsyeja pse njerëzit mbetem pa hipotekë është se ndërtuesit nuk respektojnë të gjithë parametrat e lejeve të ndërtimit dhe mbikëqyrja nga Bashkitë është kontestuar të jetë e dobët, gjë që kthen drejtpërdrejtë në viktimë atë që është në fakt jo vetëm i pafajshëm, por që është i zoti i investimit, qytetari që ka paguar për të pasur një shtëpi. Nuk do të lejohet më që të futen njerëzit nëpër apartamente pa u përfunduar objekti dhe pa u pajisur njerëzit me hipotekën. Një gjë e papranueshme dhe e patolerueshme më tutje. ”, tha Rama.

Ndërkohë bëri me dije se të gjitha kantieret e ndërtimit në vend do të monitorohen me dronë dhe kamera në kohë reale për të kontrolluar zbatimin e projektit.

“Një pikë tjetër 3shtë monitorimi i territorit me kamera dronë dhe sisteme GPS për kontrollin në kohë reale te zbatimit të lejeve të ndërtimit, në të gjitha kantieret e ndërtimit. I gjithë procesi ndiqet në kohë reale.

Një tjetër masë është krijimi i fondit të gjelbër që parashikon që subjektet ndërtuese duhet të caktojnë një raport të caktuar pemësh në raport me sipërfaqen e banorëve, që do të përcaktohet me VKM”- tha Rama gjatë fjalës së tij.