Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se partia e tij synon ta formojë Qeverinë e re me mbështetjen e partive joserbe.
“Siç e keni parë, Qeveria Kurti 2 u formua në bashkëpunim me minoritetet joserbe. Ky është qëllimi ynë, sepse ka pasur ndikim pozitiv në Kosovë, duke parandaluar Listën Serbe, që operon nën ndikimin e Beogradit, që të ketë pushtet vendimtar, siç kishte në qeveritë paraprake”, tha Konjufca për institutin dhe median online me seli në Itali, Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa.
Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit, dhe sipas rezultateve preliminare, ajo ka fituar 42.27 të votave apo 48 ulëse në Parlamentin me 120 vende.
Minoritetet joserbe kanë dhjetë vende të rezervuara në Kuvend.
Nëse LVV-ja dhe partitë joserbe bëhen bashkë, do të kishin 58 ulëse – sërish më pak se 61 vota sa kërkohet për formimin e Qeverisë.