Konfindustria: “Shkrirja e Bordit të Transparencës do të sjellë rritje të çmimeve të karburanteve”

Shkrirja e Bordit të Transparencës nuk do të sjellë uljen e çmimeve të hidrokarbureve, por rritjen e tyre.

Në një deklaratë për mediat, Konfindustria thekson se mungesa e qartë e standardeve të konkurrencës nuk ndihmon “kuletat” e qytetarëve. Ajo kërkon krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të suksesshme në Rajon, për të ndihmuar “kuletat” e qytetarëve.

“Konfindustria, duke marrë shkak nga shfuqizimi i Bordit të Transparencës vlerëson, se vendimi nuk pritet të sjellë asnjë ulje të çmimeve të karburanteve në treg, përkundrazi mund të përkeqësohet më tej. Arsyeja e përfundimit të mësipërm është mungesa e konkurrencës së lirë në tregun e karburanteve, si pasojë e pranisë së oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel. Mungesë e qartë e standardeve të konkurrencës vërehen sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit dhe të tregtisë me shumicë të karburanteve. Konfindustria përsërit kërkesën për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të sukseshme në Rajon”, bëhet me dije në njoftimin zyrtar.

Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve, i krijuar në marsin e vitit të kaluar u shfuqizua dje, me vendim të qeverisë. Bordi i Transparencës u krijua në mars të vitit 2022, pas nisjes së luftës në Ukrainë, që shkaktoi rritje të menjëhershme të çmimit të naftës.

Çmimet që ka vendosur Bordi janë diskutuar shpesh, ndërsa kundër ka qenë opozita dhe ekspertët. Madje disa deputetë e kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese.

Lexo edhe: Qeveria shfuqizon Bordin e Transparencës, si u krijua dhe për çfarë shërbeu