Ditën e sotme është mbledhur sërish Komisioni Hetimor i TIMS teksa është zbardhur edhe përgjigja e Policisë së Shtetit, pas kërkesës për informacion nga ana e këtij komisioni.
Në përgjigje të Policisë së Shtetit, thuhet se janë konstatuar një sërë shkeljesh që bëjnë përgjegjës drejtuesin e departamentit të teknologjisë dhe informacionit, Ervin Muça, i cili ndodhet në arrest shtëpie dhe është pezulluar nga detyra, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës.
Policia thotë se 2 gusht të vitit të kaluar, kur edhe ka ndodhur vjedhja e të dhënave nga TIMS, duke nisur që nga orët e pasdites dhe deri në orët e para të mëngjesit në godinën e departamentit të teknologjisë së informacionit janë parë lëvizje të shpeshta të Ervin Muçës, një pjesë e punonjësve të stafit dhe personave të tjerë jashtë kësaj strukture teksa janë renditur edhe 4 shkeljet e kryera nga ai.
Rikujtojmë se pas presionit të madh ndërkombëtar, në veçanti të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Policia e Shtetit pranoi zyrtarisht skandalin e vjedhjes të të dhënave të hyrjes dhe daljes së shtetasve në territorin e Shqipërisë, ose TIMS ndërsa më pas Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për të gjetur përgjegjësit.
‘Nga grupi i punës është konstatuar se duke filluar nga orët e pasdites të datës 2.08.2023 dhe deri në orët e para të mëngjesit në godinën e departamentit të teknologjisë së informacionit janë parë lëvizje të shpeshta të Ervin Muçës, një pjesë e punonjësve të stafit dhe personave të tjerë jashtë kësaj strukture.
Janë konstatuar një sërë shkeljesh që bëjnë përgjegjës drejtuesin e departamentit të teknologjisë dhe informacionit.
1. Shkelja e procedurave standarde për hyrjen në godinën në Policinë e Shtetit
2. Mos njoftimi u eprorëve për hyrjen e personave të paautorizuar duke u ekspozuar atyre detaje apo infrastrukturën e rrjetit të brendshëm të policisë së shtetit që përbën shkelje.
3.Përdorimi i kodit Check in të punonjëses pa dijeninë e saj për të hyrë në ambientet e godinës në pa ndonjë arsye bindëse me persona të tjerët të paautorizuar dhe në orët e vona të natës
4. Mosrealizimin e detyrimeve nga Ervin Muça për përmirësimin e akteve sipas strukturës së re dhe afateve të caktuara në programin e punës.’- thuhet në përgjigje të Policisë së Shtetit.