Komisioni Hetimor i TIMS/ Salianji tregon institucionet që s’kanë kthyer përgjigje dhe ironizon Kryeministrinë: Po mbyllin punët me Italinë

Është mbledhur këtë të hënë Komisioni Hetimor për Shëndetësinë. Kreu i këtij komisioni Ervin Salianji ka zbuluar institucionet që i janë përgjigjur kërkesave për informacion.

Salianji tha se të gjitha institucionet i janë përgjigjur kërkesave, përveç Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Tiranës dhe Kryeministrisë.

Ndërkohë Salianji e konsideroi si tallëse përgjigjen që ka kthyer Shërbimi Informativ i Shtetit. Sipas tij, përgjigja e SHISH ishte tallëse ndaj komisionit dhe publikut.

Salianji ironizoi Kryeministrinë duke thënë se nuk kanë pasur kohë të kthejnë përgjigjë pasi kanë qënë të zënë duke mbyllur punët me Italinë, duke iu referuar reportazhit të RAI 3.

“Data fundore në të cilën të kthenin përgjigjen institucionet të cilave u janë dërguar kërkesat për informacion, ishte 25 prill 2024. Nga të dhënat që na kanë ardhur, ka sjellë përgjigje SPAK.

Sot në tejkalim të afateve, më vjen keq që një institucion si Policia e Shtetit, tejkalon afatet ligjore të kthimit të përgjigjeve, është depozituar sot në protokoll. Ka sjellë përgjigje autoriteti kombëtar për sigurinë e informacionit të klasifikuar, komisioneri për të drejtën e informimit dhe AMP.

Në tejkalim të afateve ligjore dhe në shkelje të ligjit, nuk është përgjigjur Kryeministria, mbase ka patur punë Sekretari i Përgjithshëm dhe KM të mbyllin punët me Italinë, pastaj të merren me çështjet e ligjit në Shqipëri. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Tiranës.  Ka kthyer përgjigje dhe SHISH dhe do ju lutesha kolegëve dhe ekspertëve, duke qenë se një pjesë e dokumenteve që do të shqyrtohen do të jenë sekret hetimor, të plotësojnë formularët për t’u pajisur me certifikatë sigurie për të qenë plotësisht në rregull me ligjin.

Më vjen shumë keq SHISH përdoret dhe sjell përgjigje për t’u tall me komisionin, me publikun dhe taksapaguesit ”- tha Salianji.