Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sot kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i cili do të zëvendësojë Altin Dumanin.
Sot KLP do të intervistojë 4 landidatët, të cilët janë: Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho.
Klodian Braho mban aktualisht detyrën e Shefit të Korrupsionit dhe “Shpërdorimit të Detyrës” në Prokurorinë e Posaçme; Adnan Xholi aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të SPAK; Elvin Gokaj shërben pranë seksionit kundër korrupsionit dhe Doloreza Musabelliu është pjesë e seksionit kundër krimit të organizuar në SPAK. Drejtuesi i ri i SPAK do të zgjidhet nga vota e 11 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe do të ketë një mandat 3 vjeçar, pa të drejtën e rikandidimit.
Kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme do të jetë i treti në detyrë që prej krijimit të këtij institucioni, pas Arben Krajës dhe Altin Dumanit.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK është në fokusin e SHBA dhe Bashkimit Europian, zyrtarët e të cilave janë të pranishëm në mbledhjen e sotme.
Kujtojmë se mandati i Altin Dumanit përfundon në 18 dhjetor, 3 vite pas zgjedhjes së tij në krye të SPAK, ku arriti ta kthente këtë institucion më të besuarin e qytetarëve, pas arrestimeve të shumë zyrtarëve të lartë të politikës, përfshirë këtu ish-presidentin e vendit, Ilir Meta apo kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Vlen të përmendet se drejtuesi i SPAK, Altin Dumani ka pasur ndër vite mbështetjen e SHBA-ve ndërsa disa muaj më parë ai ishte për një vizitë zyrtare në Uashington ku u takua me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit ku në fokus ishte goditja e organizatave kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Për qytetarët shqiptarë, SPAK është institucioni më i besueshëm, pasi vitet e fundit ka çuar para drejtësisë zyrtarë të lartë të politikës që nuk mendohej se do të jepnin ndonjëherë llogari për korrupsionin ndër vite.
PROFILET
Adnan Xholi lindi në Dibër më 6 korrik 1975. Përfundoi studimet si jurist pranë Fakultetit të Drejtësisë. Ka marrë emërimin si prokuror më 6 janar 2004.
Ka pasur këto detyra:
01.05.1998-31.12.1999/ Oficer i Policisë Gjyqësore i Seksionit të Prokurorisë, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tepelenë.
01.01.2000 – 31.12.2000/ Zëvendësdrejtues Prokurorie (Zv/Prokuror Rrethi), në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
01.01.2001-05.01.2004/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Janar 2004- Maj 2013/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
Gusht 2012- Dhjetor 2012/ Drejtues i Komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Qershor 2013-2017/ Prokuror/Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
04.03.2015 – 28.09.2015/ Drejtues i Komanduar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranës.
2017 – 23.07.2021/ Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme/Prokuror.
23.07.2021 – aktualisht/ Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Doloreza Musabelliu u diplomua në vitin 2002 në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 2005 në Shkollën e Magjistraturës.
Ka pasur këto detyra:
11.10.2004 -19.12.2019/ Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda.
19.12.2019 – 31.01.2020/ Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (pas pushimit së ekzistuari të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda).
Nga 31 janari 2020 dhe aktualisht është prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Elvin Gokaj gjatë viteve 1994-1998, ka përfunduar studimet e larta të ciklit 4-vjeçar, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka marrë emërim si prokuror më 5 dhjetor 2000.
Ka pasur këto detyra:
2000-2007/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.
2007-2012/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
2013-2014/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
2014-2021/ Prokuror dhe drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.
Nga 13 dhjetori 2021 dhe aktualisht, Gokaj mban detyrën e Prokurorit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.
Ka pasur këto detyra:
14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).