KLGJ rrëzon kërkesën e 10 anëtarëve të KPK për t’u emëruar gjyqtarë, mes tyre edhe motra e Ballukut

Këshilli i Larë Gjyqësor ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e Pamela Qirkos, motrës së Belinda Ballukut dhe disa juristëve të tjerë për t’u emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Në mbledhjen plenare të zhvilluar këtë të premte, Këshilli mori vendimin për rrëzimin e kërkesës së saj dhe 9 juristëve të institucioneve të vetingut që kishin aplikuar për t’u futur në sistemin e gjykatave të Apelit pas përfundimit të mandatit të tyre kushtetues.

Vendimet e KLGJ

Sot, më datë 10.07.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. Brunilda Kadi, për vitin 2024.

Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. Adrian Shega për periudhën 2021-2023”.

Këshilli vendosi për caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor nr. 1/2026, të filluar ndaj magjistrates znj. Suela Dashi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Sokol Ibi.

Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për ricaktimin e gjyqtarit të skemës së delegimit z. Sokol Ibi, në Gjykatën Administrative të Apelit.

Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesave, për caktimin në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për:

  • znj. Suela Zhegu;
  • znj. Firdes Shuli;
  • znj. Alma Faskaj;
  • znj. Brunilda Bekteshi;
  • znj. Pamela Qirko;
  •    z. Olsi Komici;
  • znj. Valbona Sanxhaktari;
  • znj. Xhensila Pine;
  • znj. Etleda Çiftja;
  •    z. Roland Ilia.

Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi  për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin  znj. Merita Karaj në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve.

Më tej, Këshilli vendosi për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidaten për në programin e formimit fillestar, në Shkollën e Magjistraturës, viti akademik 2026-2027, profili ndihmës ligjor, znj. Kledjana Llalla.

Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Mbi rishpërndarjen (transferimin) e fondeve buxhetore në programin 03310, buxheti i gjykatave, në shpenzime korrente, për vitin buxhetor 2026”.

Në përfundim, Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 29.04.2026 dhe 06.05.2026.