11 persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri të madh pyjor në jug të Spanjës.
Autoritetet kanë njoftuar se rreth 150 zjarrfikës janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët, të cilat, sipas dëshmitarëve, u shkaktuan nga rrëzimi i një linje të energjisë elektrike dhe më pas u përhapën në një zonë pyjore në Los Gallardos, në provincën Almeria.
Megjithatë, autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht shkakun e zjarrit.
Një valë e vazhdueshme e të nxehtit, me temperatura që arrijnë rreth 40°C, ka shkaktuar zjarre të shumta në të gjithë jugun e Evropës gjatë kësaj vere.
Qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarre të mëdha në Francë, Portugali dhe Spanjë, ndërsa mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Trupat e 11 viktimave u gjetën në fshatin e vogël Bedar, pranë Los Gallardos.
Ministri i Shëndetësisë dhe Emergjencave i Andaluzisë, Antonio Sanz, ka theksuar se zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka qenë e jashtëzakonisht i vështirë për t’u vënë në kontroll.
Sipas tij, katër persona u gjetën të vdekur brenda automjetit të tyre, ndërsa viktimat e tjera u gjetën në vende të ndryshme.
Kreu i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, e cilësoi ngjarjen si “tragjedi”.