Gjykata e Posaçme ka dhënë sot dënimet për pesë të pandehur, pjesë e dosjes Revanshi.
Sipas vendimit të GJKKO, ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Adrian Pikli, dhe Devis Bajramaj janë dënuar me nga 10 vite burg secili. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tyre është reduktuar në 6 vite e 8 muaj burg.
Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, dhe Edison Muçeku janë dënuar me nga 8 vite burg, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 5 vite e 4 muaj burg.
Ndërkohë, Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit Ndreca është dënuar me 11 vite burg, dënim që me gjykim të shkurtuar është reduktuar në 7 vite e 4 muaj.
Sipas dosjes së SPAK, hetimet kanë zbardhur disa ngjarje dhe veprime kriminale ku të dënuarit kane qenë të përfshirë.
Gjatë periudhës maj–korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku dyshohet se siguruan mjetet e nevojshme për vrasjen e shtetasit Hamza Terziu, ndërsa në muajt korrik–gusht 2020, Elvis Ndreca dyshohet se siguroi mjetet për vrasjen e Durim Bamit.
Në tetor 2020, sipas SPAK, Armando Ndreca organizoi dhe financoi një grup që prodhoi dhe shiti rreth 243 kilogramë kanabis në zonën e Lezhës.
Ndërkohë, gjatë viteve 2020–2021, Devis Bajramaj dhe Adrian Pikli akuzohen se janë përfshirë në veprimtari të paligjshme të shitjes së armëve dhe municioneve, përfshirë persona me precedentë penalë.