Policia e Spanjës ka vënë në pranga 7 shqiptarë si autor të të paktën katër vjedhjeve nëpër banesa të kryera javën e kaluar në qytetet Palomares del Campo, Huete dhe Tinajas.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se shqiptarët janë të moshës 26 deri në 43 vjeç teksa identitetet e tyre nuk dihen ende.
Treguesi i parë i pranisë së një “qelize” të bandës kriminale ka qenë identifikimi i njërit prej mjeteve të përdorura. Falë një hetimi të shpejtë, se automjeti në fjalë mund të ndodhej në një zonë të Toledos, çoi në verifikimin se autorët e dyshuar po qëndronin në një shtëpi rurale në komunën e Cedillo del Condado.
Sipas hetimeve të policisë spanjolle, bëhet fjalë për një bandë të specializuar, që përdornin mjete të sofistikuara.
Gjatë operacionit policor u sekuestruan më shumë se 7500 euro, drogë, bizhuteri dhe sende të tjera. Po ashtu u sekuestrua një automjet i përdorur në një grabitje.
Policia spanjolle po vijon hetimet nëse ka persona të tjerë të përfshirë në grupin kriminal.