Klubi i Futbollit Tirana është në prag falimentimi, për shkak të borxheve të papaguara ndaj palëve të treta.
Kjo ka bërë që Zyra Përmbarimore private “ALBASE” të nxjerrë në shitje 66% të aksioneve në pronësi të Refik Halilit, teksa 34% vijojnë të jenë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Ankandi do të mbyllet në datën 22 prill dhe për 66% të aksioneve ofertat do të fillojnë nga 161 milionë lekë të reja.
Borxhet e shumta të grumbulluara për shkak të gjyqeve të humbura e kanë çuar Tiranën në këtë situatë, ku ekipi ka të bllokuar edhe merkaton nga FIFA deri në verën e vitit 2025, ndërkohë që pritet të ketë masa ndëshkimore nëse nuk paguan ish-trajnerin Orges Shehi, pas gjyqit të humbur edhe me të.
