Sezoni veror përveç turizmit sjell edhe rrezikun e zjarreve masive për shkak të temperaturave të larta. Kujtojmë se vitin e kaluar për 9 ditë me radhë u dogj pylli në Pishporo, Darzezë, ndërsa pamjet në fund ishin trishtuese.
Këtë vit qeveria ka vendosur të miratojë disa rregulla që nuk lejojnë vendosjen e zjarreve nga ana e bujqërve, në tokat e tyre, gjatë sezonit.
Edhe në përiudhën që lejohet, toka bujqësore do të digjet vetëm duke bërë kërkesë me letër në vetëqeverisjen vendore, duke argumentuar arsyen përse po e djeg si dhe datën dhe orën e ndezjes së zjarrit, me dakordësinë e kryeplakut të fshatit.
Këshilli i Ministrave vendosi dje përcaktimin e rregullave të hollësishme për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e zjarreve në toka bujqësore.
Kështu u vendos se: Djegia e masës bimore, pjesëve të tyre dhe mbetjeve bimore kryhet në periudhën, nga 30 nëntori deri në 1 prill, në përputhje me ligjin nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar, dhe me përcaktimet e këtij vendimi.
2. Djegia kryhet në një zonë të kufizuar që nuk tejkalon 5% të sipërfaqes së përgjithshme të parcelës, ku prodhohet masa bimore që asgjësohet me djegie.
3. Subjektet, pronarë ose posedues, paraqesin kërkesën në njësinë e vetëqeverisjes vendore për kryerjen e procesit të djegies, e cila përmban:
a) të dhënat kadastrale të parcelës/ngastrës, në të cilën do të ndizet zjarri;
b) sipërfaqen e tokës brenda parcelës ku do të kryhet procesi i djegies;
c) shkaqet e asgjësimit me djegie;
ç) argumentimin agronomik të shkaqeve;
d) llojin e bimësisë që do të digjet;
dh) datën dhe orën e ndezjes së zjarrit;
e) masat mbrojtëse të marra prej tij për mbrojtjen nga zjarri;
ë) pëlqimin/miratimin me shkrim nga pronarët ose poseduesit kufitarë të tokës bujqësore, të vërtetuar nga kryetari i fshatit.
4. Njësitë e vetëqeverisje vendore, brenda 5 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës:
a) bëjnë verifikimin në terren të ngastrës në të cilën do të ndizet zjarri;
b) njoftojnë strukturën e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin;
c) përcaktojnë specialistin e zyrës së mbrojtjes së tokës që do të mbikëqyrë kryerjen e ndezjes së zjarrit.
5. Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin kryen verifikimin e përmbushjes së kushteve sipas pikës 5, të nenit 16/1, të ligjit nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar, dhe, brenda 5 ditëve pune nga data e njoftimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, miraton kryerjen e procesit dhe përcakton masa parandaluese për djegien e kontrolluar, sipas formatit të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
6. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda 5 ditëve pune nga dhënia e lejes nga shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, lëshojnë lejen e ndezjes së zjarrit, ku specifikohen:
a) subjekti pronar ose posedues që kryen procesin e djegies;
b) vendndodhja e sipërfaqes ku realizohet djegia, si dhe data dhe orari i procesit të djegies;
c) pëlqimi me shkrim prej pronarëve ose përdoruesve të ngastrave në kufi me ngastrën ku do të kryhet djegia;
ç) masat e detyrueshme që zbatohen nga subjekti pronar ose posedues i tokës, përgjegjës për procesin e djegies dhe organet e vetëqeverisjes vendore për mbrojtjen nga zjarri.
7. Djegia e mbetjeve bimore nuk kryhet nëse materialet janë të ndotura, kanë substanca të rrezikshme, konservues, regjës, veshje të tjera artificiale, lëndë druri, pemë, mbetje nga krasitja e pemëve, gjethe, ashkla ose mbetje të tjera të ngjashme, të krijuara nga kultivimi dhe punimet në parcelë/ngastër.
8. Ndalohet djegia e masës bimore, pjesëve të tyre apo mbetjeve bimore në tokat bujqësore të llojit arë, vresht, pemëtore dhe djegia në kullota, shkurre dhe ferra pa miratimin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Përjashtimisht, asgjësimi me djegie realizohet bazuar në urdhrin e autoriteteve kompetente për shkaqe, që lidhen me shëndetin e bimëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve, mjedisit dhe shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
9. Djegia e masës bimore në tokat torfike është e ndaluar.
10. Në procesin e djegies nuk përfshihen mbetje që nuk janë të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
11. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.