Kërkuan që çështja të shkojë në Kushtetuese, avokatët e Berishës braktisin seancën pas refuzimit të kërkesës

Avokatët e Sali Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, kanë braktisur seancën gjyqësore për privatizimin e kompleksit Partizani, ku ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv.

Gjokutaj tha se kanë vendosur të braktisin seancën, pasi Gjykata e Posaçme nuk pranoi kërkesën e tyre që çështja të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“U paraqitëm sot në seancë, kemi paraqit dje një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka dhe sot kemi bërë kërkesë për procesverbalin audio dhe gjyqësor. Kërkuam që Gjykata të vendosë të na japë kopje të akteve, që pretendon se e ka vendosur dje, pa u njohur me aktet merr vendim për vazhdim seance. Gjykata refuzoi kërkesën që çështja të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Pasi na rrëzoi kërkesën, ne u larguam nga seanca. Gjykata po përdor instrumente dhe justifikime për të mos na njohur me aktet. Seanca e verifikimit dhe ekzekutimit, rishikon dhe një herë seancën e parë dhe verifikohen dhe një herë kushtet e mëparshme”, tha ai.

Ndërkohë, çështja po vijon në GJKKO, por me një avokat të caktuar nga shteti. Kujtojmë se Sali Berisha nuk ka pranuar të paraqitet në Gjykatë deri në momentin që Kuvendi do të japë miratimin për hetim ndaj tij.