Kërkoi masë më të butë sigurie, Apeli i Posaçëm “rrëzon” Ramazan Rrajën

Apeli i Posaçëm ka rrëzuar sot kërkesën e nipit të ish deputetit të PS, Ramazan Rraja, pasi ai kërkoi masë më të butë sigurie. Rraja u arrestua në prill të vitit 2023 pas një kohe të gjatë në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës në vitin 2019.

Gjykata ka vendosur të mos pranojë ankesën e Rrajas për t’i vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie ose detyrim paraqitje, duke e lënë atë në burg.

SPAK pretendon se Ramzan Rraja, bashkë me kushëririn e tij dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja më 1 nëntor 2019. Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

Ramazan Rraja është pyetur nga policia në muajin tetor të vitit 2022, edhe për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mes të vrarëve ishte kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 05.04.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 68 akti, datë 27.03.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues R.Rr., ndaj vendimit nr. 57, datë 07.02.2024 të gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: “Revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar ndaj personit nën hetim Ramazan Rraja me vendimin nr. 308 akti, datë 21.07.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ose në alternativë zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ose “Arrestit në shtëpi”, dhe vendosi:

Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari R.Rr. nëpërmjet mbrojtësit të tij av. Elton Hyseni, ndaj disponimit nr. 57 akti, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.