Investimet publike në Shqipëri vijojnë të realizohen nën nivelin e planifikuar, ndërsa përmirësimet ligjore për menaxhimin e tyre nuk janë përkthyer ende në rezultate konkrete.
Komisioni Europian, në Raportin e Progresit për Shqipërinë 2026, evidenton se mungesa e kapaciteteve, përgatitja e pamjaftueshme e projekteve, tejkalimi i kostove dhe mangësitë procedurale vazhdojnë të pengojnë zbatimin e investimeve kapitale.
Sipas Komisionit Europian, megjithëse Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e kuadrit rregullator për menaxhimin e investimeve publike, këto ndryshime nuk janë shoqëruar me përmirësime të krahasueshme në zbatimin e projekteve.
Problemet me realizimin e investimeve janë të përsëritura dhe ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ecurinë e financave publike. Komisioni vëren se deficiti buxhetor në vitin 2025 arriti në 1.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 0.7% në vitin 2024, por mbeti nën objektivin e planifikuar prej 2.4% të PBB-së, kryesisht për shkak se shpenzimet kapitale nuk u realizuan sipas planit.
Kjo do të thotë se një pjesë e diferencës ndërmjet deficitit të planifikuar dhe atij faktik nuk erdhi nga kursime të programuara, por nga mosrealizimi i investimeve publike.
Në raport evidentohet se gjatë vitit 2025 u miratuan ndryshime në procedurat e menaxhimit të investimeve publike, përfshirë dispozitat që lidhen me Listën Unike të Projekteve Kombëtare dhe kërkesat për studimet e fizibilitetit.
Gjithashtu, në dhjetor të vitit 2025 u miratua ligji i ri për partneritetet publike-private (PPP), i cili parashikon që nga shtatori 2026 projektet e kësaj natyre të përfshihen në Listën Unike të Projekteve Kombëtare dhe t’u nënshtrohen procedurave standarde të vlerësimit dhe menaxhimit të investimeve publike.
Sipas Komisionit Europian, këto reforma mund të forcojnë vlerësimin e projekteve dhe mbikëqyrjen e rreziqeve fiskale, por aktet nënligjore dhe udhëzimet zbatuese ende nuk janë përshtatur me legjislacionin e ri.
Gjithashtu Komisioni Europian ka konfirmuar një shqetësim të evidentuar më parë për kostot e larta të pajustifikuara të projekteve. ”Planifikimi dhe zbatimi i projekteve vijon të pengohet nga kapacitetet e kufizuara administrative, përgatitja e pamjaftueshme teknike, tejkalimet e kostove dhe mangësitë procedurale” vëren Raporti i Progresit..
Komisioni kërkon forcimin e vlerësimit dhe prioritizimit të projekteve, për të siguruar që fondet publike të orientohen drejt investimeve të përgatitura dhe të realizueshme.
Një tjetër shqetësim lidhet me mënyrën e ndryshimit të buxhetit gjatë vitit. Komisioni evidenton se qeveria vijon të përdorë aktet normative për rishikimet buxhetore, duke kufizuar mbikëqyrjen parlamentare dhe transparencën fiskale. Vetëm gjatë vitit 2025, buxheti u ndryshua katër herë, ndërsa një rishikim tjetër u krye gjatë vitit 2026. Komisioni rekomandon rikthimin te procedurat e zakonshme të rishikimit të buxhetit përmes Parlamentit.
Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e menaxhimit të rreziqeve fiskale që burojnë nga ndërmarrjet shtetërore dhe kontratat PPP, si dhe forcimin e transparencës për detyrimet që këto projekte mund të krijojnë për buxhetin. Sipas Komisionit Europian, përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike kërkon jo vetëm ndryshime ligjore, por edhe rritjen e kapaciteteve për përgatitjen, përzgjedhjen dhe zbatimin e projekteve, në mënyrë që fondet e planifikuara të shndërrohen në investime konkrete. Monitor.al