Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, për të cilin thotë se do të parandalojë presidentët e ardhshëm të kryejnë ndryshime të caktuara në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Përmes këtij urdhri, zyra zyrtare e presidentit amerikan, të cilën Trump e ka rinovuar, shpallet monument kombëtar.
“Po e shpallim monument kombëtar dhe askush nuk do të lejohet ta prekë, ta shkatërrojë apo ta shembë, vetëm për të ndërtuar diçka me një formë paksa të ndryshme”, u tha Trump gazetarëve të enjten.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky vendim mund të anulohet nga një president i ardhshëm ose të kundërshtohet përmes një procesi gjyqësor.
Presidentët amerikanë kanë aktualisht kompetenca për të kryer disa ndryshime në Shtëpinë e Bardhë, por projektet madhore kërkojnë miratimin e Kongresit.
Në dokumentin e urdhrit thuhet se ai nuk “kufizon autoritetin e presidentit për të ridekoruar monumentin, për të përzgjedhur mobiliet apo për të kryer ndryshime të zakonshme operacionale dhe të sigurisë, të cilat nuk cenojnë në mënyrë thelbësore strukturën historike ose karakterin arkitektonik të monumentit”.
“Na pëlqen Zyra Ovale. Ajo është një simbol, ashtu si vetë Shtëpia e Bardhë. Është simbol i vendit tonë dhe i madhështisë së tij”, deklaroi Trump, duke shtuar se liderët botërorë që e kanë vizituar gjatë muajve të fundit kanë vlerësuar ndryshimet dekorative që ai ka bërë në këtë ambient.
Trump pretendoi se Shtëpia e Bardhë dhe Zyra Ovale kishin nevojë për riparime përpara ndërhyrjeve të tij, duke e përshkruar gjendjen e tyre si “të dëmtuar rëndë”. Ai përmendi dritare të thyera, mure të çara dhe gurë të dëmtuar.
Megjithatë, shumë prej ndryshimeve më të dukshme kanë qenë kryesisht estetike. Ndër to përfshihen vendosja e një tabele të madhe të artë me mbishkrimin “Zyra Ovale” jashtë ambientit, shtrimi me pllaka i Kopshtit të Trëndafilave dhe ndërtimi i një piste të re për helikopterët.
Trump tha se urdhri do ta “bëjë të pamundur që dikush të shkatërrojë ndonjëherë këtë ambient të jashtëzakonshëm”.
Si po e transformon Trump Shtëpinë e Bardhë sipas stilit të tij
Zyra Ovale në vitin 2025, gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, paraqitet me të paktën dhjetë portrete të arta, dy pasqyra me korniza të arta, dekorime të shumta në ngjyrë ari dhe vazo dekorative mbi një oxhak të zbukuruar me elemente të arta.
Në vitin 2024, gjatë presidencës së Joe Biden, zyra kishte një pamje ndryshe, me pesë portrete të ish-presidentëve në mure dhe dy buste të vendosura pranë oxhakut.
Ndërsa në vitin 2015, gjatë presidencës së Barack Obamës, ambienti kishte mure me shirita në ngjyrë të verdhë, tri fotografi të kornizuara dhe dy buste dekorative.
E gjithë ndërtesa e Shtëpisë së Bardhë është tashmë e shpallur Monument Historik Kombëtar, një status që synon të parandalojë ndryshimet e papritura në strukturën e saj.
Urdhri i ri vjen disa muaj pasi Trump urdhëroi shembjen e të gjithë Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të një projekti që është përballur me sfida ligjore.
Projekti nuk mori miratimin e Kongresit amerikan. Megjithatë, punimet kanë vijuar, me synimin për ta shndërruar hapësirën në një sallë të re balloje.
Në cilësinë e presidentit, Trump ka kompetencën të shpallë monumente kombëtare, të cilat kanë një status të ngjashëm me parqet kombëtare.
Urdhri i tij i kërkon Shërbimit të Parqeve Kombëtare që të kujdeset për Zyrën Ovale “në një mënyrë që mbron karakterin e saj historik, integritetin arkitektonik dhe lidhjen e saj me Presidencën”.
Dokumenti përmend mbrojtjen ligjore që gëzon aktualisht Shtëpia e Bardhë, por argumenton se “Zyra Ovale meriton një njohje të veçantë dhe një administrim mbrojtës si një strukturë historike më vete, me rëndësi kombëtare”.
Kongresi ka parashikuar një përjashtim nga Ligji për Ruajtjen Historike Kombëtare, për t’u mundësuar presidentëve të kryejnë ndryshimet e nevojshme në Shtëpinë e Bardhë.
Zyra Ovale në formën e saj aktuale daton që nga fillimi i viteve 1930, kur u projektua gjatë presidencës së Franklin D. Roosevelt.
Greg Werkheiser, nga studioja ligjore Cultural Heritage Partners, e specializuar në mbrojtjen e trashëgimisë historike, thotë se ndërhyrjet e përkohshme, si ndryshimi i mobilieve dhe dekorit, janë tërësisht në diskrecionin e presidentit.
“Për sa kohë që nuk dëmtojnë veprat e përhershme të artit dhe elementet arkitektonike, presidentët përgjithësisht mund të bëjnë çfarë të duan”, tha ai për BBC-në.
Një tabelë e re e artë është vendosur jashtë Zyrës Ovale, ndërsa fotografitë dhe dekorimet me ngjyrë ari tashmë mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të mureve të saj.
Werkheiser argumenton se administrata Trump ka treguar mungesë respekti ndaj objekteve të tjera historike në Uashington dhe se, përmes proceseve gjyqësore, ka tentuar të dobësojë ligjet që garantojnë mbrojtjen e tyre.
Trump ka ndërmarrë një projekt të gjerë zbukurimi dhe transformimi në Uashington, duke organizuar tri aktivitete gjatë javës së fundit për të promovuar punimet, në një kohë kur Partia Republikane pësoi humbje të thella përballë demokratëve në zgjedhjet afatmesme.
Werkheiser e cilësoi urdhrin e Trump si “hipokrizi”, duke iu referuar projekteve të ndryshme që presidenti ka mbështetur në Uashington. Mes tyre janë planet për ndërtimin e një harku të ri triumfal, projekt i pezulluar përkohësisht nga një gjykatës federal, si dhe rinovimi i Qendrës Kennedy.
“Nga njëra anë, ai flet për rëndësinë e ruajtjes së Zyrës Ovale, një veprim që nga pikëpamja ligjore nuk ka asnjë efekt, sepse ai nuk mund ta bëjë këtë. Nga ana tjetër, ai po ndërmerr hapa që cenojnë ligjet që na lejojnë të mbrojmë objektet e tjera historike”, u shpreh ai.
Në tetor, presidenti sugjeroi në një intervistë për revistën Time se Zyra Ovale mund të duhej të shembej për shkak të shqetësimeve të sigurisë të Shërbimit Sekret amerikan.
“Unë i thashë: ‘As që bëhet fjalë. Nuk mund të ndërtoni një të re. Ky është një vend i veçantë’”, deklaroi Trump në atë kohë.
Gjatë fushatës për zgjedhjet afatmesme, demokratët kritikuan ndryshimet estetike të Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ish-presidenti Barack Obama komentoi dekorimet e shumta në ngjyrë ari, duke thënë se ato “e kanë bërë Shtëpinë e Bardhë të duket sikur Saddam Hussein ka hapur një restorant Cheesecake Factory”.