Me kërkesë të dy anëtarëve të Partisë Demokratike, KAS vendosi sot rinumërimin e votave në qarkun e Fierit.
Ishin dy anëtarët Ledio Braho dhe Elvis Cefa, të cilët votuan për hapjen e 587 kutive ku do rinumërohen votat e partive dhe kandidatëve në këtë qark.
“KAS pasi u konsultua, vendosi me shumicë votash t’i rrëzojë kërkesat si të Koalicionit PD-ASHM në lidhje me hapjen e kutive të tre qendrave kutive 3020, 3134 dhe 2903m gjithashtu edhe kërkesën e Nismës Shqipëria Bëhet për hapjen e të gjitha kutive të votimit në Qarkun Fier, si kërkesa të pambështetura në ligj dhe prova, Mirëpo, duke shfrytëzuar kërkesat e pikës 3 të nenit 136 të Kodit Zgjedhor, me kërkesë të dy anëtareve të KAS, i kërkohet administratës të këqyri të gjitha kutit e votimit të Qarkut Fier, për subjektet zgjedhore dhe kandidatëve për votat brenda vendit. Të gjithë kutive të votimit”, tha drejtuesi i mbledhjes në KAS.
Më herët, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka vendosur për rinumërimin e votave për partitë politike dhe kandidatët edhe në qarkun e Tiranës. Por ende nuk ka një datë se kur do rinumërohen 1282 kutitë e Tiranës.
Përveç kutive të Tiranës, KAS vendosi edhe rinumërimin e votave preferenciale në 44 kuti të qarkut Dibër, por që ky proces pritet të përfundojë shumë shpejt, ndryshe nga rinumërimi i qarkut të Tiranës.