Në diskutimet mbi projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ngriti shqetësimin e emërimeve nepotike në ambasadat shqiptare jashtë vendit.
Ai deklaroi se rreth 90% e emërimeve në ambasada janë nepotike, dhe kjo ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve.
Kapri tha se një pjesë e mirë e ambasadorëve që janë emëruar janë ish-deputetë apo ish-ministra të Partisë Socialiste, apo edhe familjarë të zyrtarëve të lartë, mes të cilëve fëmijë, kunetër e kunata të socialistëve.
“Çështja është që ju flisni aty edhe për rekrutimet e reja në diplomaci, flisni edhe për akademi të re në diplomaci. Halli është zonja ministre që në çdo ambasadë të Republikës së Shqipërisë, kudo, në Perëndim a në Lindje, 90% i ke emërime nepotike.
Edhe nuk flas vetëm të viteve tuaja por edhe të viteve të mëparshme, mjafton të google-osh, përjashto disa raste sporadike që e meritojnë emrin ambasador të tjerët nuk janë të tillë zonja ministre. Dhe jam i bindur që e keni vërejtur këtë gjë gjatë muajve që keni punuar tani në Ministrinë e Jashtme se çfarë cilësie e dobët është.
Ju jeni krenare me emërimet në ministrinë e Jashtme me gjithë situatën nepotike aty?
Sepse çfarë keni emëruar ju ambasadorë janë ose ish-deputetë të PS, ish- ministra, fëmijë ish-ministrash, kunetër, kunata, nuk gjen një rast të vetëm që e merr nga jeta publike i njohur edhe ta çosh në ministri të Jashtme”, tha Kapri.