“Kryeministri ka një hall të madh dhe halli i tij është drejtësia”. Kështu u shpreh deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri gjatë një interviste për News24, duke u ndalur te zhvillimet e fundit në vend, si ftesa e Shqipërisë për në Bordin e Paqes dhe çështja Balluku.
Sipas Kaprit, kryeministri Edi Rama po përpiqet që të përdorë ftesën e presidentin amerikan Donald Trump për pjesëmarrje në Bordin e Paqes, si një mesazh për Gjykatën Kushtetuese dhe Prokurorinë e Posaçme, për mos hapje të një çështjeje ndaj tij, si në rastin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku.
“Përtej asaj seance të shëmtuar nga sulmet e kryeministrit, si ka mundësi pse kryeministri nuk mban përgjegjësi. Kryeministri përballë interesit privat të investitorit zgjedh këtë dhe jo interesin shtetëror.
Kryeministri ka një hall të madh dhe halli i tij është drejtësia. Ai po përpiqet të japë një mesazh për SPAK dhe GJK që ka mbrojtjen e Trump dhe mos guxoni të më hapni një çështje siç bëtë me Ballukun. Presioni më i madh është mbi Kushtetuesen.
Në rastin Balluku situata është delikate pasi nuk dorëhiqet dhe prokuroria thotë që ka bërë presion ndaj dëshmitarëve. Shumica e shqiptarëve duan ndëshkimin e korrupsionit dhe këtë po përpiqemi të bëjmë ne edhe me protestat. Balluku ka mbaruar punë, sado të mundohet ta shtyjë ajo do të japë llogari, por ajo që ngelet është fati i Ramës”, tha ai.