Kapri – Lamallarit: Policia sulmoi protestuesit me ujë dhe piper, jep dorëheqjen!

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallarit, të japë dorëheqjen, pas sulmit me ujë dhe piper që Policia i bëri protestuesve ditën e djeshme.

Ai tha se ka bërë kërkesë në Kuvend për një seancë pyetje – përgjigje me ministrin për dhunën që Policia e Shtetit ka ushtruar ndaj protestuesve të Rrjollit, por nuk ëhstë futur në rendin e ditës.

“E dyta, kemi bërë kërkesë edhe për ministrin, për dhunën e ndodhur në Rrjoll. Rama tha dje që jemi në luftë hibride, dil jep llogari nga kush po sulmohemi meqë drejton anti-terrorin.
Në ’90 Rama e mbushi Tiranën me “Enver Hitler” dhe Ramiz Alia nuk bëri gjë. Dje sulmuat qytetarët me ujë me piper, nuk e mbajti dot gardhi protestën. Lërini dopio-standardet, jep dorëheqjet nëse ke guxim”, tha Kapri.

Gjithashtu Kapri akuzoi edhe kryetarin e Kuvendit se ka shkelur Rregulloren, pasi nuk detyron kryeministrin Rama të paraqitet të mërkurave për seancat e pyetje – përgjigjeve, me kreun e qeverisë që ka kohë pa shkelur në Kuvend.

“Guximi juaj për të shkelur rregulloren është përtej imagjinatës. Mohoni nene e Rregullores, neni 95, ku thuhet se të mërkurave është seancë pyetje-përgjigje. Kemi bërë pyetje për Ramën dhe ai duhet të vijë këtu të japë përgjigje, kjo nuk delegohet dot. Nuk e mbani seancën e të mërkurës që Ram a të japë llogari këtu. Kemi sjellë kërkesën në Kuvend. Ju lutem silleni në momentin më të parë të mundshëm në Kuvend”, u shpreh Kapri.