Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri kërkoi sot në Kuvend që të ketë një seancë dëgjimore për banorët e Rrjollit qe po u merren tokat për shkak të nje resorti që do të ndërtohet atje, si dhe për banorët e Durrësit që preken nga projekti TID.
Në fjalën e tij, Kapri tha se në Kuvend u fol shumë pak për këta banorë, të cilët po protestojnë jashtë Kuvendit, për pronat e tyre.
Kapri tha se këta banorë kanë nevojë që të dëgjohen në Kuvend në lidhje me shqetësimin e tyre.
“Qindra banorë të Rrjollit, qindra banorë të Durrësit, por edhe ish-minatorë po protestojnë para Kuvendit dhe më erdhi shumë keq që nuk dëgjova kolegë të tjerë të flasin për ta dhe për protestën e tyre.
Zoti kryetar, ua kërkoj juve këtu publikisht, të angazhoheni ju në pozicionin që keni që t’i kërkoni kryetarit të komisionit të posaçëm që këta banorë të kenë një seancë dëgjimore sepse bëhet fjalë për një të drejtë.
Banorët e Rrjollit janë banorë shekullore, kanë jetuar në ato zona, i kanë mbrojtur ato zona, janë persekutuar nga diktatura. Dhe krejt një dite të bukur, pa i pyetur fare në kundërshtim të çdo ligji, qoftë për transparencë, ti pyesin këta banorë, a jeni dakort për zhvillimin? U venë fadromat dhe u zihen pronat, edhe pse është në një zonë të mbrojtur.
Ata banorë kanë nevojë të dëgjohen. Po ashtu edhe banorët e Durrësit, autoktonë po u marrin banesat pa u treguar çmimin, pa u dhënë një letër në dorë. Prona në mes të Durrësit që po shpronësohen me vlerë qesharake. Nuk mund të sillemi me pronën në këtë lloj forme kryetar. Edhe ata meritojnë një seancë dëgjimore”- u shpreh Kapri.