Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka denoncuar sot në Kuvend rastin e një emigranti nga Anglia, i cili është mbajtur për 4 orë në komisariat vetëm sepse kritikoi qeverinë.
Nga Foltorja e Kuvendit, Kapri tha se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme ku Zef Shllaku, sapo ishte kthyer nga Anglia dhe ishte nisur për te prindërit e tij. Gjatë rrugës ai është ndeshur me banorët e Rrjollit, të cilët protestojnë prej muajsh, duke i përshëndetur këta të fundit, bashkë me Kaprin dhe deputetin Agron Shehaj që ndodheshin aty, dhe duke sharë qeverinë.
Kapri zbuloi se policia më pas e ka çuar në komisariat dhe po i hapin një proces penal për fyerje dhe kanosje ndaj punonjësve të policisë, vetëm sepse shau qeverinë.
“Sapo më erdhi një denoncim që lidhet me shkeljen brutale të lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri nga ana e Policisë së Shtetit.
Dje unë dhe kolegu im Agron Shehaj ndodheshim në Rrjoll në mbështetje të banorëve të Rrjolit që janë në ditën e 100-të të protestës së tyre dhe teksa ishim me ta në prani të forcave të shumta të policisë, kalon një makinë e një të riu që quhet Zef Shllaku, një emigranti nga Anglia.
Zefi sapo kishte zbritur nga aeroporti i Rinasit, kishte marrë një makinë me qira, i kalon rruga aty. Ndalon makinën, na përshëndet të gjithëve dhe shan qeverinë e Edi Ramës.
I turret policia dhe ndalon makinën. Është e filmuar. Por për shkak se ishim ne aty, policia e la të kalonte.
Por çfarë ka ndodhur? I kanë turrur një makinë policie nga pas dhe e kanë çuar në komisariat, e kanë mbajtur 4 orë. ( Tregon procesverbalin).
4 orë në komisariat Zef Shllakun, u kthye nga Anglia dhe nuk e lejuan të shkonte të takonte prindërit e vet, por e çuan në komisariat 4 orë dhe po i hapin proces penal për fyerje dhe kanosje ndaj punonjësve të policisë. E turpshme! Pse? Sepse kritikoi qeverinë e Edi Ramës”- tha mes të tjerash deputeti Kapri.