Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur dërgimin e fshehtë të disa tankerëve të ngarkuar me naftë bruto përmes Ngushticës së Hormuzit, në një përpjekje për të zhbllokuar eksportet e karburantit të mbetura pezull nga konflikti në Lindjen e Mesme, sipas burimeve të industrisë dhe të dhënave të transportit detar për Reuters.
Sipas këtyre burimeve, sistemet e gjurmimit të anijeve janë çaktivizuar për të shmangur rrezikun e sulmeve iraniane. Kjo ka bërë që disa ngarkesa të naftës të lëvizin në mënyrë të vështirë për t’u gjurmuar, përmes një prej korridoreve më strategjike të tregtisë globale të energjisë.
Megjithëse volumi i këtyre dërgesave mbetet dukshëm më i ulët se eksportet normale të Emirateve para përshkallëzimit të konfliktit SHBA-Iran, ato tregojnë gatishmërinë e prodhuesve për të marrë rreziqe të larta për të ruajtur shitjet e naftës.
Ndërkohë, prodhues të tjerë të Gjirit, përfshirë Irakun, Kuvajtin dhe Katarin, kanë reduktuar ndjeshëm aktivitetin e eksportit ose kanë ndryshuar rrugët e transportit. Arabia Saudite, sipas të dhënave, po përdor kryesisht rrugët përmes Detit të Kuq.
Në prill, kompania shtetërore e naftës e Abu Dhabit (ADNOC) ka arritur të eksportojë rreth 4 milionë fuçi naftë “Upper Zakum” dhe 2 milionë fuçi “Das crude” përmes katër tankerëve që dolën nga terminalet brenda Gjirit Persik.
Sipas të dhënave të kompanive të monitorimit të transportit detar dhe burimeve të industrisë, ngarkesat janë: transferuar nga anije në anije në det të hapur, shkarkuar në magazina në Oman ose dërguar drejtpërdrejt drejt rafinerive në Korenë e Jugut dhe Azinë Juglindore.
Një pjesë e naftës raportohet se është shitur me çmime rekord, deri në 20 dollarë mbi çmimin zyrtar të ADNOC.
Sipas raportimeve, tankerët lëvizin me sistemet e tyre të identifikimit të fikura për të ulur mundësinë e zbulimit nga forcat iraniane. Kjo praktikë është përdorur shpesh edhe nga Irani për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.
Tensionet u rritën më tej pasi Emiratet e Bashkuara Arabe akuzuan Iranin për sulme me dron ndaj një tanker bosh në zonën e Hormuzit.
Konflikti dhe kufizimet në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë dhe gaz – kanë ndikuar në rritjen e çmimeve ndërkombëtare të naftës mbi 100 dollarë për fuçi.
Eksportet e ADNOC raportohet se kanë rënë me më shumë se 1 milion fuçi në ditë krahasuar me periudhën para konfliktit.
Pavarësisht rreziqeve të larta, Emiratet pritet të vazhdojnë eksportet përmes kësaj rruge, ndërsa po zhvillohen negociata me rafineri aziatike për ngarkesa të reja të naftës për muajt në vijim.