Ndryshe nga propaganda me foto të bukura e me pacientë të kënaqur, situata në spitalin Onkologjik është krejt e kundërta.
Pacientët që përballen me kancerin prej 3 ditësh nuk po mund të bëjnë rrezet, për shkak se 2 akserelatorët janë jashtë funksionit.
Denoncimi është bërë nga gazetari Osman Stafa, i cili thotë se janë rreth 100 pacientë në ditë që shkojnë në spitalin Onkologjik për të bërë radioterapi, por prej 3 ditësh po kthehen në shtëpi pa u trajtuar.
Në bisedën me një zonjë, ajo i bëri thirrje kryeministrit Rama që të zgjidhë situatën, sepse po luftojnë për jetën.
Gazetari: Ti ke ardhur sot këtu për të bërë rrezet?
Pacientja: Erdha dje, aparati I prishur. Erdha sot, aparati I prishur. Edhe sa do vuaj unë, paguaj makinë, të më marrë, të më çoj, për të bërë një rreze. I lutem Kryeministrit të vërë dorë, sepse ne po luftojmë për jetën.
Doktori thotë që nëse nuk I bëj rrezet, s’do këtë efektin e duhur. Nuk e mendoja se do të vija në Onkologjik, ma pruri Zoti, por të paktën të na ndihmoj robi. I lutem Kryeministrit, se erdhi para 10-15 ditësh në Onkologjik për të na parë, të na bëj një spital të ri, sepse ne po bëjmë luftë me jetën tonë.
Do kthehem në shtëpi, e nesër do të vij prapë. Do vij sepse nuk kam çfarë të bëj. Do luftoj që të rroj, aq sa të ma japë Zoti.