Te Partia Socialiste përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës kanë nisur herët, por e kundërta po ndodh me opozitën, që ende nuk ka një kandidat që do të rivalizojë Ogerta Manastirliun.
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pak kohë më parë deklaroi publikisht se opozitës i duhet një kandidat jo-politik që do të bashkonte të gjithë opozitarët, për të patur mundësi të fitojnë garën për kryeqytetin.
Sot, Shehaj ka njoftuar se do të mbajë një konferencë për mediat në orën 16:00, ku do të flasë mbi propozimet e Partisë Mundësia për të fituar garën e Bashkisë së Tiranës. Nuk dihet nëse do të jetë 1 emër apo disa propozime që kjo forcë politike do t’i propozojë opozitës, por ashtu siç është shprehur vetë Shehaj, këta kandidatë nuk do të jenë emra të politikës.
Pas propozimeve të Shehajt, “topi” do të jetë në fushën e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, nëse do të pranojnë kandidatët e propozuar nga Partia Mundësia, apo do të zgjedhin kandidatë të tjerë nga radhët e opozitës.
Kujtojmë se Partia Demokratike ka caktuar një grup negociator për të negociuar me partitë e tjera opozitare mbi kandidatin e opozitës, me Flamur Nokën, Ilir Alimehmetin dhe Belind Këlliçin, teksa takimet e para janë zhvilluar me Partinë e Lirisë, Fatmir Mediun dhe Agron Dukën.