Kallëzimi i gjyqtarëve ndaj ministrit Malaj për pagat, Rama: Është konsultuar me mua dhe Toni Gogun

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi gjyqtarët kallëzuan në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se Malaj është konsultuar paraprakisht me të dhe ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.

Rama e konsideron një “histori bajate” rritjen e pagave për gjyqtarët, dhe sipas tij ato do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kallëzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi:

Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e  thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë.

Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Rama.