“Ka pasur hetim pasuror ndaj Berishës”, Altin Dumani: Kemi bërë kërkesë për ekstradimin e Arben Ahmetajt

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ka zhvilluar sot një takim me gazetarët, duke diskutuar disa nga çështjet e nxehta të drejtësisë, si dosja “Partizani” ku është nën hetim ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, për zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve, apo edhe për “21 Janarin”, me këtë të fundit që do të hetohet nga SPAK.

Sa i takon privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, Dumani mësohet se ka thënë para gazetarëve se janë bërë hetime në lidhje me pasurinë e Berishës, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.

“Janë bërë hetimet pasurore për Berishën”- mësohet të ketë thënë Dumani.

Ky i fundit është pyetur nga gazetarët edhe për çështjen dhe akuzat që rëndojnë ndaj ish-numrit të dy të qeverisë, Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në Zvicër.

“Ka procedime në Prokurorinë e Posaçme për inceneratorët dhe deklaratat e Ahmetajt për Rai 3 po verifikohen”– ka thene ai.

Ndër të tjera, Dumani tha se “janë në pritje të përgjigjes nga autoritetet zvicerane për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit.”

Për Dumanin, pas vendimit të publikuar nga Gjykata e Lartë në lidhje me “21” Janarin, SPAK tashmë është i detyruar të regjistrojë procedimin penal.

“Jemi të detyruar të zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë. Kur të vijnë aktet do të regjistrojmë hetimin penal. Do të shihet në vijim edhe bashkëpunimi me Prokurorinë e Tiranës”, tha Dumani.

Ndërkohë temë diskutimi në takimin e Dumanit me gazetarët ka qenë edhe dosja “Xibraka”, dhe kallëzimin që kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka bërë ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama. Kreu i SPAK tha se kjo dosja është hapur, por Gazment Bardhu nuk ka bërë kallëzim.

Ndërkohë ai nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me hetimet për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetet së kësaj force politike Monika Kryemadhi.

“Çështja është në hetim, nuk mund te jap asnjë koment”– mësohet të ketë thënë Dumani para gazetarëve.

Një tjetër çëshjte tepër sensitive për të cilën është pyetur Dumani lidhet me skemat e mashtrimit të mikrokreditë, pak ditë pasi 63 vjeçari Pal Trashaj piu fotoksinë para dyerve të SPAK, pasi nuk i ishte gjetur zgjidhje problemit të tij me mikrokreditë.

Ai tha se SPAK nuk mund të hetojë çështje personale të qytetarëve, pasi ligji nuk i lejon.

‘Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar. Kemi vetëm një hetim për një objekt konkret. Nuk bëj komente. Realisht na vjen keq për qytetarët që përplasen ne dyert tona dhe për ata persona që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompetencën tonë. Shpreh keqardhjen për atë që ndodhi para dyerve të SPAK. Ka kërkesa të shumta nga qytetarë, ligji na e ka përcaktuar qartë.’- tha Dumani.