Jemi ne zotërit e Ballkanit!

Sot, të gjitha zemrat rrahin sërish bashkë! Me një dëshirë dhe një qëllim! Me një synim të vetëm, të mbajmë gjallë shpresat për kualifikimin në turin tjetër të EURO 2024!

Sot, Kombëtarja ka detyrë të gëzojë miliona shqiptarë në të gjoithë botën, në një ndeshje pak më të lehtë në letër se sa ajo ndaj Italisë, por sërish me një kundërshtar me traditë në kompeticionet europiane dhe botërore.

Sot është koha për të treguar se jemi ne, Zotërit e Ballkanit!

Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë ndaj Kroacisë në “Volksparkstadion” të Hamburgut në orën 15:00, me të dy ekipet që vijnë pas humbjeve në ndeshjet e para dhe fitorja është detyrim.

Me tre pikët që duket se janë e vetmja mënyrë për të na mbajtur në lojë, duke patur parasysh se ndeshjen e fundit e luajmë ndaj Spanjës, trajneri Sylvinho duket se do të bëjë ndryshime edhe në formacion.

Ndeshja ndaj Italisë tregoi pikat e dobëta të ekipit dhe braziliani ka mbajtur shënim se çfarë duhet të ndryshojë në lojën e ekipit tonë. UEFA në formacionin e mundshëm ka bërë 3 ndryshime, me Hysajn që i lë vendin Balliut, pas sulmeve në rrjet për golin e dytë të Italisë, ndërsa në 11-shen titullare do të përfshihen edhe Hoxha në vend të Seferit dhe Ismajli në vend të Ajetit.

Për sa i përket pjesës tjetër të formacionit, në portë duket i konfirmuar Strakosha, ndërsa në mbrojtje kapiteni Gjimshiti do të udhëheqë linjën e prapavijës. Në të majtë Mitaj, ndërsa mesfusha ngelet e pandryshuar, me Ramadanin, Asllanin dhe Nedim Bajramin, që tashmë është rekordemn, pais shënoi golin më të shpejtë të historisë së Kampionatit Europian.

Te Kroacia, Nikola Vlasiç i Torinos u dëmtua dhe i humbi ndeshjet e mbetura, teksa trajneri Daliç pritet që të hedhë në fusha nga minuta e parë edhe Ivan Perisiç.

Stadiumi i Hamburg ka një kapacitet prej 49 mijë spektatorësh, por ndryshe nga ndeshja kundër Italisë, tifozët shqiptarë pritet të jenë më të paktë në numër se kroatët. Do të jenë 15 mijë kuqezinj që do të mbështesin kombëtare, teksa kujtojmë se ndaj Italisë ishin 50 mijë tifozë në stadium dhe rreth 100 mijë jashtë tij.

Ne i urojmë shumë fat Shqipërisë, duke besuar se do të na dhurojnë emocione të shumta dhe një fitore të madhe.

Me ty Shqipëri, se je më e mira!